E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Tu kundërvihemi akuzave për interesa personale

Kryetari i PS-së, Edi Rama, mori pjesë edhe në krijimin e bordit qytetar të qytetit të Korçës.

TIRANË- “Dialogu me Shqipërinë” i Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, është rikthyer në juglindje të vendit, ku ai është takuar me banorë të Bilishtit dhe Korçës. Bashkëbisedimi i është kushtuar pikërisht çështjes së bujqësisë, duke u përqendruar kryesisht në mungesën e tregjeve për produktet bujqësore, në mospërballimin e rritjes së çmimit të karburanteve për të punuar tokën, si dhe në TVSH-në e lartë, që shpesh është barrë e rëndë për vetë fermerët. Por, natyrisht, për t’i dhënë jetë një politike ndryshe që do të sillte zgjidhjen e këtyre problemeve, kreu i selisë rozë ka theksuar se mbetet domosdoshmëri bashkimi i shqiptarëve përtej dasive politike. “Unë s'kam dalë në luftë kundër shqiptarëve. Për mua të gjithë jemi shqiptare dhe shqiptarë, që kanë të drejtë të mendojnë në mënyra të ndryshme, por që të gjithë së bashku duhet t'i kundërvihemi politikës së vjetër, të dasive, të sherreve, akuzave, përçarjeve për interesa personale njerëzish të përveçëm. Me këtë unë kuptoj edhe qeverinë dhe qeverisjen si shprehje e kësaj politike”, - tha Rama. Ndërkohë, për të arritur këtë objektiv, kreu socialist ka theksuar se PS-ja duhet të fitojë zgjedhjet për të larguar të keqen e këtij vendi që, sipas tij, është politika e vjetër që përfaqëson kryeministri Berisha. “Ndryshimi i shumëpritur prej 18 vitesh po troket”,- tha Rama,- “dhe këtë do ta sjellë bashkimi i të gjithë shqiptarëve, në përpjekje për t’i dhënë fund tranzicionit rraskapitës të Shqipërisë”. Ndërkohë, gjatë pasdites së djeshme ai ka marrë pjesë edhe në krijimin e bordit qytetar të qytetit të Korçës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›