Lëvizja Mjaft padit Kuvendin për mosdhënie informacioni për dokumentet zyrtarë
Të rinjtë kërkuan informacion për buxhetin e Kuvendit dhe për tenderin për rikonstruksionin e sallës plenare
Lëvizja Mjaft! ka vendosur ti drejtohet gjykatës duke akuzuar Kuvendin e Shqipërisë se nuk u ka ofruar informacion zyrtar.
Ky veprim pason mungesën e përgjigjes nga ana e Kuvendit ndaj gjashtë kërkesave për informacion zyrtar që Lëvizja ka depozituar pranë këtij institucioni bazuar në ligjin nr. 8503, datë 30.06.1999, Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare. Kërkesat për informacion vijnë në kuadër të nismës për përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve shtetërore përkundrejt qytetarëve, iniciative kjo e mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Soros, thuhet në njoftimin e Mjaft.
Të rinjtë e kësaj organizate kanë kërkur informacion për buxhetin e institucionit, për auditin e brendshëm dhe për tenderin për rikonstruksionin e sallës plenare.
Më 5 dhjetor 2011, Lëvizja Mjaft i ka dërguar 6 kërkesa zyrtare Kuvendit të Shqipërisë me objekt marrje informacioni për buxhetin faktik dhe atë të detajuar të institucionit për vitin 2009 dhe 2010, për auditin e brendshëm si edhe për tenderin publik për mobilimin dhe rikonstruksionin e sallës së seancës plenare. Në mungesë të një përgjigjeje zyrtare, përtej afatit 40 ditor që përcakton Ligji për të Drejtën e Informimit, u vijua me procedurat e ankimit administrativ. Këto shkresa i janë dërguar Kuvendit të Shqipërisë më datë 10 shkurt 2012 dhe megjithëse ka kaluar afati 30 ditor për ankimet administrative, ende nuk kemi marrë një përgjigje zyrtare nga Kuvendi i Shqipërisë, thuhet në njoftim.
Pas ezaurimit tërësor të të gjitha hallkave administrative, Mjaft! ka zgjedhur rrugën gjyqësore, me besimin në funksionimin e një sistemi shtetëror operativ, i cili garanton respektimin e ligjit dhe të drejtave të qytetarëve, si në këtë rast, ku kërkohet respektimi i së drejtës kushtetuese për informimin publik, parashikuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe rregulluar me një ligj të posaçëm. E konsiderojmë të rëndësishëm këtë hap pasi kërkojmë të sensibilizojmë të gjitha institucionet publike mbi lidhjen e pandashme që qëndron mes mirëqeverisjes demokratike dhe informimit publik mbi veprimtaritë institucionale.