E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëvizja “Mjaft!”, tryezë për mungesën e transparencës nga qeveria

Lëvizja “Mjaft!” organizoi dje një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të Bankës Botërore, organizata të mjedisit dhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile dhe palë të interesuara mbi problematikat e mjedisit në Shqipëri. Qëllimi kryesor i takimit ishte evidentimi i problemeve dhe diskutimi i tyre lidhur me transparencën e institucioneve publike dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje për çështjet e politikave mjedisore dhe investimeve që rëndojnë situatën e mjedisit në Shqipëri. Në këtë tryezë u prezantuan dhe u analizuan gjetjet e kërkimit të lëvizjes “Mjaft!”, “Mjedisi në Shqipëri 2009”, si dhe u zhvillua një diskutim në lidhje me nevojat për përmirësimet në kuadrin e politikave mjedisore, pjesëmarrjen publike në vendimmarrje si dhe mekanizmat institucionalë në shërbim të mjedisit. Përfundimet e kërkimit të Mjaft-it evidentojnë probleme të rënda në terma të transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje mbi çështje mjedisore me ndikim komunitar dhe kombëtar. E pranishme në këtë tryezë ishte dhe përfaqësuesja e BB-së në Shqipëri, Nuamah. Duke folur për sfidat e ndryshimeve klimatike, Nuamah tha se Shqipëria ka mundësi të mëdha të papërdorura. “Situata aktuale e mungesave në furnizimin dhe përdorimin e ujit, energjisë dhe burimeve të tjera natyrore mund të ndryshonte për mirë me një kosto financiare relativisht të ulët. Veprime të tilla mund të ndihmonin të menaxhoheshin ndikimet e ndryshimeve klimatike. Por kjo do të kërkonte nga çdo shqiptar, dhe jo vetëm qeveria apo sektori privat, që të bëhej i ndërgjegjshëm për ndryshimin e sjelljes së vet”, - është shprehur Nuamah.

22 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›