E Diel, 1 Nëntor 2026

Procedurat tatimore, qeveria përgatit skemën e rrjepjes për biznesin

Ervin KOÇI

Qeveria ka parashikuar të shtojë jo vetëm taksat por edhe format e gjobave në kurriz të biznesit vendas. Në ndryshimet që po i bëhen ligjit “Për procedurat tatimore”, hapësira të mëdha i jepen edhe formave të ndryshme të gjobitjes për subjektet private, të cilat në rastin më të parë që nuk do të jenë në rregull me dokumentacionin fiskal do të pësojnë sanksione të rrepta. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, të ardhurat e buxhetit të shtetit nga gjobat për bizneset në vend arritën në shifrën marramendëse prej 6.8 miliardë lekësh në muajin nëntor, duke e kapërcyer planin me 261.3 për qind për këtë vit. Shuma e barasvlershme me 73 milionë dollarë është më e madhja e realizuar ndonjëherë në vite. Gjobat kanë qenë veçanërisht të rënda në muajt tetor e nëntor, kur janë mbledhur 78 për qind e totalit të gjobave që i janë faturuar biznesit këtë vit. Më të gjobiturit kanë qenë importuesit dhe tregtarët e karburanteve, të cilët dolën me dhjetëra milionë dollarë gjoba nga një aksion tatimor i muajit nëntor. Tatimorët thanë se i gjobitën kompanitë pasi nuk kishin respektuar një udhëzim të ri të Ministrisë së Financave për llogaritjen e tatimit mbi vlerën e shtuar mbi çmimin final të shitjeve. Tatimorët kishin dalë në konkluzionin se çmimet mesatare të shitjes së karburantit qenë më të ulëta se ato të raportuara nga tregtarët. Importuesit e karburanteve kërcënuan me grevë veprimet e qeverisë, por së fundmi mësohet se janë pajtuar me realitetin. Statistikat e Ministrisë së Financave zakonisht përfshijnë edhe fatura gjobash të prera, por të paarkëtuara dhe nuk dihet se sa prej këtyre gjobave janë shlyer.

Buxheti

Gjobat e stërmëdha të muajve tetor dhe nëntor kanë pasur si kurrë më parë një rol të rëndësishëm në të ardhurat e buxhetit. Kështu, gjatë muajit tetor, nga 24 miliardë lekë që ishin të ardhurat totale tatimore të qeverisë, plot 4 miliardë, ose 18 për qind, u realizuan nga gjobat. Në nëntor, nga 21 miliardë lekë që qenë të ardhurat totale tatimore, 1 miliard ose 5 për qind e totalit u realizua nga gjobat.

Fushata

Fushata e gjobëvënies për bizneset duket se gjatë nëntorit u përqendrua te procesi i pajisjes me kasa fiskale. Të dhënat zyrtare nga administrata tatimore tregojnë se rreth 700 biznese janë ndëshkuar me gjoba për shkak të mospajisjes me kasë fiskale dhe rreth 6 mijë të tjera rrezikojnë të përballen me gjobat së shpejti. Nëse do të bënin një llogaritje të thjeshtë, vlera e gjobës është 100 mijë lekë për çdo biznes që nuk ka vendosur pajisjen fiskale, atëherë del se nga procesi tatimet kanë grumbulluar rreth 70 milionë lekë të ardhura.

Të ardhurat
Qeveria shqiptare po përballet me rënie drastike të të ardhurave tatimore nga muaji në muaj, si pasojë e krizës ekonomike dhe financiare që ka ulur kërkesën e brendshme dhe importet nga jashtë. Kështu, gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti, qeveria ka arritur të grumbullojë zakonisht 23-25 miliardë lekë në muaj nga tatimet dhe taksat, por në nëntor të ardhurat qenë vetëm 21 miliardë. Nëntori i këtij viti ka qenë i pafat për qeverinë, për shkak se të ardhurat qenë edhe më të ulëta se një vit më parë, gjë që do të thotë se ekonomia shqiptare ka qarkulluar më pak mallra dhe shërbime.

22 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›