E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i ri, stampa për çdo produkt sa energji shpenzon

Efektet e zbatimit të ligjit do shtrihen një vit pas hyrjes në fuqi, me qëllim t’ju jepet koha e mjaftueshme operatorëve ekonomikë të marrin masat e nevojshme, pasi ai detyron operatorët ekonomikë të sigurojnë informacion të standardizuar për produktet me ndikim në konsumin e energjisë.

 Ky ligj u jep mundësi përdoruesve të bëjnë zgjedhje të informuar mbi eficencën e produktit që blejnë, ndërsa nxit prodhuesit dhe importuesit që të vendosin në treg produkte sa më eficente ndaj energjisë nëpërmjet etiketës dhe skedës informative që shoqëron produktin.

Çdo furnizues, prodhues apo importues si dhe tregtarët me pakicë detyrohen të pasqyrojnë në çdo produkt të dhënat mbi eficencën e produktit në shitje, ndërsa do të penalizohet nga çdo abuzim. Kontrolli në zbatim të ligjit do të bëhet nga struktura përgjegjëse e Mbikëqyrjes së Tregut në ministrinë e Ekonomisë, e cila mund të marrë masa në raste të mospërputhjes së produkteve, të cilat variojnë nga lënia e një afati kohor prej 30 ditësh në tërheqjen nga tregu të produkteve, apo në gjoba nga 8-50 fish të çmimit për njësi të produktit. Ky ligj do të zbatohet për të gjitha produktet që bëhen të disponueshme për herë të parë në tregun shqiptar dhe jo për ato që janë në territorin tonë. 

Ligji është në konformitet me zhvillimet e fundit të legjislacionit evropian dhe Direktivën e re europiane, 2010/30/EU, e cila është një direktivë për produkte që kanë impakt të rëndësishëm në konsumin e energjisë, thanë burime zyrtare të METE-s./Start/

                                                                                             2012-06-23 10:39
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›