E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenca shqiptare e KiE, konferencë për Holokaustin. Berisha: Të shërbejë si mësim për një shoqëri kundër racizmave dhe fobive

05-09-2012 / Gazeta 55

Kryeministri: Shqetësim për masakrat e kasapit të Sirisë ndaj kombit të tij

Në kuadër të presidencës shqiptare të Këshillit të Europës u mbajt në Tiranë konferenca në kujtim të Holokaustit dhe parandalimin e krimeve ndaj njerëzimit. Referues të ndryshëm mes të cilëve Kryeministri shqiptar, Sali Berisha vlerësuan lart popullin shqiptar që u pozicionua në anën e duhur të vlerave njerëzore duke mbrojtur popullin e hebre, kur në vendet e tjera fati i tij ishte shfarosja

Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot gjatë konferencës “Në kujtim të Holokaustit” të mbajtur në kuadër të presidencës shqiptare të KiE-së, se liritë dhe të drejtat e njeriut duhet të jenë kryefjalë e funksionimit të çdo shteti demokracie dhe asnjëherë nuk duhet të rendim së përpjekuri për realizimin dhe garantimin e tyre. Në nisje të kësaj konference Kryeministri Berisha shpërndau certifikatat që u ka akorduar 14 qytetarëve nga vende të ndryshme si Shqipëria, Franca, Kroacia, Belgjika, Zvicra, në shenjë mirënjohje ndaj atyre  që mbrojtën nderin e njerëzimit gjatë Holokaustit. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh, se kjo ceremoni e organizuar në kuadrin e kryesisë së radhës së Këshillit të Evropës së Shqipërisë nderon qytetarët nga vende të ndryshme të Evropës, si dhe familjet e tyre, të cilat në momentet më të vështira dhe më kritike të qytetërimit qëndruan në anën e vlerave njerëzore, si përfaqësues të pamposhtur të moralit qytetar njerëzor. “Sot ne së bashku në këtë ceremoni, në kuadrin e kryesisë së radhës së Këshillit të Evropës së Shqipërisë nderojmë disa qytetarë nga vende të ndryshme të Evropës, familjet e tyre, të cilat në momentet më të vështira dhe më kritike të qytetërimit tonë, qëndruan në anën e vlerave njerëzore, qëndruan si përfaqësues të pamposhtur të moralit qytetar njerëzor, shpëtuan gra, burra e fëmijë, të cilët ndiqeshin për tu ekzekutuar për fajin  e vetëm, se i përkisnin etnisë hebreje. Për mua si kryeministër i Shqipërisë është një rast shumë i veçantë, që të sjellin në këtë veprimtari në kuadrin e kryesimit të Këshillit të Evropës, pasi ky institucion më i vjetri  demokratik i Evropës së pas luftës, në këto dekada të veprimtarisë së tij ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në paqen, demokracinë, vlerat e saj, në mbarë Europën. Para rënies së perdes së hekurt, Këshilli i Evropës si tempulli i vlerave të lirisë dhe demokracisë ishte një burim i madh frymëzimi për popujt e shtypur nga diktaturat komuniste. Pas rënies së perdes së hekurt, ai  u shndërrua në partnerin kryesor të shkëlqyer të përpjekjeve të këtyre kombeve,  për të ndërtuar shoqëritë e lira të bazuara  në liritë dhe respektin e tyre, me tolerancë dhe mirëkuptimin. Këshilli i Europës është kampion i vërtetë  i kontinentit, në luftën kundër  racizmit, diskriminimit dhe në përpjekjen e madhe për një shoqëri me të drejta dhe me të lirë. Natyrisht që ndihem krenarë, që ne nderojmë sot këto djem dhe vajza, zonja dhe zotërinj nga vende të ndryshme, si një vend, i cili në momentet e barbarisë më të madhe, që ka njohur qytetërimi  ynë ditën të qëndrojnë në anën e njerëzimit, në anën e njerëzores, duke qëndruar besnik të  vlerave njerëzore dhe hyjnore të qytetërimit tonë. Ata mbrojtën familjet, burrat, gratë, fëmijët hebre, që ishin në Shqipëri dhe të tjerë që erdhën nga vende të tjera, për ti shpëtuar nga gjahu çnjerëzor në këto vende”- u shpreh Berisha. 
Duke e cilësuar Holokaustin si procesin dhe aktin më barbar e me çnjerëzor, që është kryer nga qytetërimi perëndimor në shumë e shumë shekuj, Kryeministri theksoi se ai  duhet t’i shërbejë njeriut dhe njerëzimit si një mësim shumë i madh, për të mos reshtur kurrë përpjekjet për një shoqëri tolerante si kushti më i sigurt për të ardhmen që meritojmë. “Holokausti përbën procesin, aktin më barbar, me çnjerëzor, që është kryer nga qytetërimi perëndimor ndoshta në shumë e shumë shekuj. Holokausti nuk ndodhi në skajet e planetit, nuk u realizua nga kombe apo shoqëri  gjysmë të qytetëruara apo primitive, Holokausti ndodhi në qytetërimin më të zhvilluar të planetit dhe sa më shumë ta studiosh dhe analizosh, aty gjen një fakt shumë tragjik. Njerëz me uniformë që kryen holokaustin, të indoktrinuar deri në shpirt me ideologjinë naziste  ishin natyrisht ana më agresive e tij, por të mos harrojmë se, ata qindra e mijëra të tjerë, që bënë të mundur realizmin e asaj batërdie njerëzore ishin njerëz si ne, me shkollë, pa shkollë, të kultivuar, të profesioneve të ndryshme, të thjeshtë, studiues të avancuar. E them këtë, sepse çdo ngjarje duhet të shërbejë për një vështrim përpara. Çdo mësim prej tyre duhet të na shërbeje për të ndriçuar rrugën tonë  drejt të ardhmes që duam dhe kjo është një përpjekje dhe duhet të jetë një nga përpjekjet më themelore tonat, sepse e vërteta është se fakultetet  intelektuale njerëzore janë të komplikuara, dhe përsëri tek ata që bashkëpunuan për holokaustin përsëritet  një pyetje? Pse këta bashkëpunuan, kurse të tjerët vendosën jetën e tyre në anën e viktimave dhe qëndruan të pamposhtur? Mos vallë në këtë bashkëpunim, në fakultetet e tyre  mendore u zgjuan demonët e fjetur të racizmit, të urrejtjes primitive dhe bënë që ata të bëhen bashkë autor në një nga aktet më makabre të historisë së njerëzimit. Holokausti duhet ti shërbejë njeriut dhe njerëzimit, duhet ti shërbejë qytetërimit tonë, si një mësim shumë i madh, për të mos reshtur kurrë përpjekjet tona për një shoqëri  tolerante, për të shuar racizmit, fobirat, demonizimet, si një kusht më i sigurt për të ardhmen që meritojmë”- theksoi kryeministri Berisha.
Holokausti, vijoi ai, kryen një shërbim sot, atë të mbajtjes në gatishmëri të faktorit ndërkombëtar për të ndërhyrë në vatrat e konfliktit, ashtu siç ndodhi me ndërhyrjen e NATO-s në Bosnje, Kosovë apo dhe Libi. Ndërsa, sipas tij, sot krimet çnjerëzore po i përjeton populli i sirisë nga makineria vrasëse e Bashar al-Assad. “Holokausti ka shërbyer dhe shërben shumë në ketë drejtim. Vështirë se po të mos ishte holokausti, NATO dhe komuniteti ndërkombëtar do të kishte ndërmarrë ato veprime që mori në Bosnje, që mori në Kosovë, që ndërmori në Libi dhe që ndjek me një shqetësim të jashtëzakonshëm masakrat e kasapit të Sirisë ndaj kombit të tij. Ndaj dhe rëndësi të jashtëzakonshme përkushtim ndaj një rendi të ri, i cili po ndërtohet pa diskutim një rend i bazuar në liritë dhe të drejtat e individit, në liritë dhe te drejtat e qytetarëve”- tha më tej ai.

Krye-rabini Kaplan: Ndryshe nga vendet e tjera, Shqipëria na ofroi mikpritjen e saj

Krye-rabini për Tiranën dhe Shqipërinë, Grand Rabbi Joel Kaplan gjatë fjalës së tij u shpreh se ndjehet i detyruar që të falenderojë miqtë shqiptarë për ndihmën që kanë dhënë.
“Shqipëria duhet vlerësuar për miqësinë, mikpritjen dhe asistencën e saj. Në një situatë jo humane kur njeriu ishte kundër njeriut, Shqipëria u soll ndryshe nga shumë vende të tjera duke na ofruar mikpritjen e saj”, vuri në dukje krye-rabini, Grand Kaplan gjatë fjalës së tij.
Konferenca në kujtim të holokaustit shërbeu si një homazh për të kujtuar e nderuar ata që refuzuan të bëheshin palë me të.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›