Të vunë flakën e të lanë të digjesh
Nga Marjon Gorica
Periudha e verës për shumë vende të botës dhe për Shqipërinë sivjet pati mjaft probleme. Shumë vatra zjarri tani më kanë pushtuar shumë pjesë të territorit të Republikës. Çdo kund del tym dhe vetëm tym. Shqipëria e mjerë është kjo që po digjet, digjet e vlon nga zjarri, tymi nuk ka të sosur, qielli u mbush me re e shtëllunga të zeza. Pyjet po zhduken, malet po ngelin bosh dhe vetëm një tok e zezë po mbetet.
Çpo ndodhë kështu me ty Shqipëri? Çpo të ndodh o kombi ynë? Të vunë flakën e të lanë të tretesh,te tretesh si benzina dhe jo si qiriu. Këta janë ata të cilët kërkojnë që të tretesh në mënyrë të sa më shpejt. Askush nuk do tia dijë ka apo nuk ka pasuri natyrore, ka apo nuk ka kafshe e shpend që jetojnë në këto male të cilat tani më janë pushtuar nga flakët e zjarrit?
Një zjarr tepër i fuqishëm ka pushtuar pikat më kyçe te vendit tonë, ky zjarr mesa duket nuk do pushojë deri sa te mos ngelet asgjë mbi dhe, të bësh një krahasim me zjarret që vendosnin fashistët italian dhe nazistët gjermanë nuk krahasohen, ato vatra ishin hiç përpara kësaj kanosje që po ndodh tani.
Kjo është gjendja katastrofale që po kalon Shqipëria, në dimër përmbytet e në verë shuhet, uji dhe zjarri janë ato të cilat sundojnë në këtë vend dhe te cilat po e dëmtojnë këtë komb, askush nuk interesohet se çfarë ndodhë, pse kështu, por vetëm gjithçka në dorë të zotit, fati i një kombi ku ekziston shteti demokratik mbetet vetëm tek shpresa e zotit.
A do të jetë ndonjë herë e qetë Shqipëria?
Si do mund të veprohet këtu? A mundet të fiken këto vatra gjigante zjarri, me lopata dhe shkopinj nëpër duar?Përgjigjja dihet nuk ka nevojë për ndonjë koment të veçantë. Por a mundet që makinat e zjarrfikësve që janë këtu tek ne të fikin këto zjarre? Mesa duket dhe ato nuk mundet pasi janë shumë faktorë që ndikojnë në mosveprimin e tyre për shuarjen e zjarreve, atëherë rrugëzgjidhja e vetme është veprimi nga ajri, me helikopterë të specializuar për këtë qëllim, por shteti ynë pse nuk investon në këtë aspekt por merret më gjëra të kota? Marrja me qera e dy ose tre helikopterëve është gjëja më e pakët që mund të bëhet për mos shkatërrimin e këtyre resurseve.
Teksa vendi ynë digjet e shuhet ka dhe politikanë të cilët shajnë e ofendojnë, ka politikanë të cilët dalin e bëjnë bilance për tragjedi,për vjedhje apo dhe për shumë gjëra të tjera. Pse nuk i kushtojnë rëndësi vendit këta persona por e kanë mendjen vetëm për të sulmuar njëritjetrin. Të sulmojnë personat rival që kanë në parlament në mënyrë që të fitojnë diçka për vete por nuk e kuptojnë këta deputetë të nderuar që këtu duken interesat personal dhe askush nuk do tia dijë për vendin, për këtë shtet i cili i pasuroi dhe i ka bërë milionerët më të mëdhenj në Ballkan dhe më gjerë.
Kjo është gjendja e Shqipërisë. Ka javë të tëra që digjet, shuhet, përvëlohet nga flakët dhe asnjë gjë e re. Tani mbeti vetëm që ky vend të tretet.