Lëvizja “Të zaptojmë Londrën” ende duke fituar mbështetje

Në Londër dimri ka mbërritur plotësisht. Turistët kanë veshur palltot. Është mesditë dhe dhjetra tendat me ngjyra të protestuesve të lëvizjes “Të zaptojmë Londrën” janë të mbyllura krejtësisht.
Midis rreshtit të parë të tendave dhe shkallëve të katedrales, ndodhet një protestues me emrin Malcolm. Ai është anëtar i një grupi protestuesish i quajtur Anonimët e Britanisë së Madhe dhe ka qenë këtu qysh në fillim.
“Ne mendojmë se i kemi arritur dhe kaluar kriteret tona dhe mendojmë të vazhdojmë të qëndrojmë këtu. Kemi anëtarë të Anonimëve të Britanisë në tendën e ndihmës së shpejtë, atë të ushqimeve, duke bërë pastrimet, në tendën e shërbimeve sociale dhe duke punuar si personel sigurie natën. Ne kemi vënë në dispozicion kompjutera portativë dhe çdo gjë tjetër që nevojitet për të siguruar suksesin e lëvizjes Të zaptojmë Londrën” ka theksuar Malcolm.
Kur mbështetja për protestën filloi të rritej në muajt tetor dhe nëntor, u krijua nevoja për të gjetur vendqëndrime të tjera në zonën financiare. Njëra prej tyre është një shesh përballë zyrës për Birtaninë e Madhe të kompanisë mediatike financiare Bloomberg. Një tjetër vendqëndrim i protestuesve është një ndërtesë e zbrazët që i përkiste bankës zvicerane UBS.
Por rivaliteti midis protesuesve është kryesisht dashamirës. Ata të gjithë ndajnë një objektiv të përbashkët: dobësimin e ndikimit të industrisë financiare mbi shoqërinë.
Dhe me qëllime të përbashkëta vjen bashkëpunimi. Në një çadër të madhe të bardhë në oborrin e katedrales së Shën Palit, rreth 20 protestues po zhvillojnë takimin ditor të kampit.
Disa protestues janë sjellë disi në mënyrë agresive në çadrën e pushimit të çajit gjatë natës dhe pjesëmarrësit në mbledhje po mundohen të gjejnë një mendim të përbashkët për të zgjidhur problemin. Ata shfaqin mbështetjen e tyre për folësit jo me duartrokitje por duke lëvizur gishtat e duarve në ajër. Protestuesit kanë gjetur kështu jo vetëm mënyra për të bashkëpunuar por edhe mënyra të reja për të komunikuar dhe për të shfaqur mendimin e tyre.
avën e ardhshme, Bashkia e Londrës do të hapë një çështje gjyqësore, në përpjekje për të hequr tendat e protestuesve përfundimisht.