Lëvizja e lirë Montobio: “Vendimi pas vëzhgimit të monitoruesve”
Autori i Lajmit: Redaksia
Liberalizimi i vizave për shqiptarët do të bëhet vetëm pas plotësimit dhe zbatimit me përpikëri të kërkesave të udhërrëfyesit. Kështu ka pohuar dje ambasadori spanjoll në vendin tonë, Emanuel Montobio. Spanja, e cila ka presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, ka shprehur mbështetjen e saj në këtë proces, ndërsa ka theksuar gjithashtu dhe rëndësinë e përfundimeve që do të japin monitoruesit që pritet të mbërrijnë në Shqipëri në muajin shkurt. Ndërkaq ambasadori spanjoll e ka vlerësuar si mjaft të rëndësishëm harkun kohor nga viti 2010 deri në vitin 2011 për aspiratat e Shqipërisë për integrim në BE, duke veçuar edhe 3 prej datave më të rëndësishme në këtë axhendë. Në një rrafsh më të gjerë presidenca spanjolle pritet të fokusohet në zbatimin e Traktatit të Lisbonës dhe në përballimin e pasojave të krizës ekonomike.
Lëvizja e lirë
Muaji shkurt pritet të jetë një muaj vendimtar për qeverinë shqiptare në përpjekjen për të fituar liberalizimin e regjimit të vizave. Gjatë shpalljes së prioriteteve të presidencës spanjolle, ambasadori i Spanjës Montobio, edhe pse ka shprehur mbështetje për ecurinë e procesit të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë dhe ata të Bosnje-Hercegovinës, ka theksuar se gjithçka do të varet nga zbatimi i kërkesave të udhërrëfyesit të liberalizimit të vizave që do të monitorohet nga 2 misione të reja që do të vijnë në Tiranë në muajin shkurt. Sipas ambasadorit Montobio, pasi këto misione të vëzhgojnë në terren arritjet e Shqipërisë, këshilli do të marrë vendimin. Mbështetje e BE-së, por dhe e Këshillit të Evropës është theksuar edhe në takimin e pak ditëve më parë që ambasadorët Manuel Montobio dhe Helmut Lohan zhvilluan me kryeministrin Sali Berisha. Ambasadorët i shprehën Kryeministrit angazhimin dhe vendosmërinë e plotë të BE-së dhe presidencës spanjolle për të mbështetur plotësisht përpjekjet e qeverisë shqiptare për ecjen përpara në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Berisha vlerësoi se presidenca spanjolle e BE-së vjen në një moment historik dhe se ka privilegjin të ofrojë kontributin në implementimin e Traktatit të Lisbonës, si presidenca e parë, pas hyrjes së tij në fuqi. Ndërsa Traktatin e Lisbonës e cilësoi si një ndër ngjarjet më të shënuara në historinë e BE-së. Bashkimi Evropian dhe presidenca spanjolle e radhës mbështesin plotësisht perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe do të vazhdojnë të përkrahin atë dhe qeverinë shqiptare në të gjitha përpjekjet për të ecur përpara me hapat e mëtejshëm në këtë drejtim duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë shqiptare edhe në këtë fazë të përgatitjes së përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Evropian, si edhe në projektin tjetër për liberalizimin e vizave. Kryeministri i falënderoi të dy ambasadorët për ekspozenë dhe shprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për përcaktimin nga ana e presidencës spanjolle të zgjerimit të BE-së si një ndër prioritete kryesore të punëve të saj. Në këtë kontekst, Berisha u shprehu ambasadorëve vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të përgatitur dhe për ti dorëzuar KE-së dokumentin më cilësor me përgjigjet për pyetësorin dhe për të marrë çdo masë e për të realizuar çdo reforma në fushat prioritare, me qëllim që Shqipëria të ecë me hapa të shpejtë përpara, si në ecjen e mëtejshme të procesit të anëtarësimit në BE, ashtu edhe për liberalizimin sa më shpejt të vizave për qytetarët shqiptarë.
Ky lajm është publikuar: 26/01/2010