E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthim në Durrës Eksploziv në shtëpinë e kunatit të Kreshnik Spahiut

Autori i Lajmit: Redaksia
Një shpërthim i fortë, në orët e vona të natës, duke u gdhirë dita e djeshme, ka tronditur banesën e vjehrrit të nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, në qytetin e Durrësit. Nga shpërthimi janë regjistruar dëme të mëdha materiale. Fatmirësisht, nuk ka asnjë të lënduar, pasi në kohën e shpërthimit nuk kishte asnjë person në banesë. Policia mblodhi provat në vendin e ngjarjes, por pa mundur të bjerë në gjurmët e autorëve. Lënda eksplozive ishte vendosur në banesën e shtetasit Ramazan Gjuzi, i cili mësohet se është kunati i nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu.

Ngjarja

Një sasi e konsiderueshme tritoli ka shpërthyer dje në hyrje të një apartamenti në Durrës. Lajmi konfirmohet nga burime të Policisë së Durrësit, sipas të cilave, banesa e sulmuar ndodhet në lagjen nr.12 të këtij qyteti dhe se shpërthimi është realizuar me lëndë plasëse, e vendosur tek dera e jashtme. Burimet nga policia bënë të ditur se nga ky shpërthim ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale dhe se ai ka shkaktuar një panik të madh mes banorëve. Kanë qenë fqinjët e Ramazan Gjuzit ata që kanë njoftuar policinë për shpërthimin.

Hetimet

Një grup hetimor ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, i cili edhe ka sekuestruar një fitil zjarrpërcjellës dhe po shqyrton të gjitha detajet e mundshme mbi ngjarjen në fjalë, për të zbuluar shkaqet e saj. Nga ana e tyre, familjarët e dëmtuar si pasojë e këtij shpërthimi, kanë pohuar paraprakisht se nuk kanë konflikt me asnjë person. Nga hetimet mësohet se sasia ishte vendosur në hyrje të apartamentit, ku jeton nëna si dhe dy vëllezërit e bashkëshortes së Kreshnik Spahiut. Policia konfirmon se nuk dihen ende shkaqet që kanë detyruar autorët të kryejnë një akt të tillë dhe nëse objektivi ishte shkaktimi i më shumë dëmeve.

Ky lajm është publikuar: 01/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›