E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata u lë kohë deri më 5 tetor Inva Mulës dhe Pirro Çakos të vendosin për djalin

Gjatë seancës së djeshme avokatët kërkuan që çifti i njohur të gjente vetë një zgjidhje. Nëse nuk gjejnë një marrëveshje, gjykata do të vendosë vetë për kujdestarinë

Tiranë - Pirro Çako i ka kërkuar Gjykatës që t’i lërë disa ditë kohë për të vendosur se me kë do të qëndrojë djali pas divorcit. Burime nga Gjykata e Tiranës bënë të ditur dje se Inva Mula dhe Pirro Çako, edhe pse nuk arritën të gjenin një marrëveshje për martesën e tyre, tani u duhet të gjejnë një marrëveshje për kujdestarinë e djalit. Gjykata e Tiranës i ka lënë kohë deri më 5 tetor të këtij viti çiftit të njohur, që është në prag të divorcit, për të vendosur se me cilin do të qëndrojë tani e tutje fëmija i vetëm që ka në këto vite martesë. Seanca e radhës nisi dje rreth orës 14:00 dhe zgjati vetëm për pak minuta. Prezent në zyrën e gjyqtares së çështjes, si gjithmonë, ishin vetëm avokatët e të dyja palëve. Fillimisht avokatët e Pirro Çakos mësohet se i kanë shprehur kërkesën gjyqtares së çështjes që të vendosin në një moment tjetër për kujdestarinë e të birit. Me këtë kërkesë kanë qenë dakord edhe avokatët e sopranos së njohur. Kështu, që nga dita e sotme iu kanë mbetur rreth 20 ditë për të rënë dakord me njëri-tjetrin, duke mos e detyruar gjykatën të ndërmarrë një vendim. Pas kësaj kërkese gjyqtarja u ka kërkuar palëve që në seancën e ardhshme të bien dakord se kush do të mbajë kujdestarinë e djalit. Në të kundërt, do të jetë Gjykata ajo që do ta marrë një vendim të tillë, sigurisht në praninë e një psikologu.
Seanca
Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e çiftit të njohur për t’i lënë kohë të gjejë një zgjidhje sa më të mirë për ushtrimin e përgjegjësisë prindërore të përbashkët me qëllim mirërritjen e fëmijës. Këtë vendim çifti jo pak i njohur duhet të marrë deri më 5 tetor, rreth orës 14:00, datë kjo që përkon edhe me seancën e ardhshme. Një seancë më parë, Inva Mula, nëpërmjet avokatit të saj, iu përgjigj pyetjeve të Pirro Çakos. Pyetje këto që janë bërë nëpërmjet avokatëve në sallën e gjyqit. Inva Mula mësohet se nuk ka dashur të zgjatet në detaje. “Unë jam një nënë e mirë dhe kam ditur të kujdesem gjithmonë për tim bir”. Këto kanë qenë fjalët e sopranos se njohur, fjalë që janë lexuar nga avokati i saj për palët që kanë qenë prezente në procesin e zhvilluar pak kohë më parë.
Divorci
Çifti i njohur prej vitesh jetonte larg njëri-tjetrit. Në prill të këtij viti ka qenë sopranoja që ka marrë nismën ligjore që kjo ndarje tashmë të kthehej në një divorc zyrtar mes tyre. Për Inva Mulën divorci ishte e vetmja zgjidhje e mundshme e momentit për shkak se ata kishin vite që jetonin në largësi. Ajo me të birin jetonin në shtëpinë e tyre në Paris, ndërsa Pirro në kryeqytetin shqiptar dhe ishte i angazhuar me karrierën e tij artistike. Kjo arsye nuk është pranuar nga kantautori si e vlefshme për të kërkuar divorcin. Ai, nëpërmjet avokatit, i ka kërkuar që të tregojë arsyet e vërteta që ajo po kërkon divorcin. Aktualisht procesi ka mbërritur në fazën e kujdestarisë së fëmijës, vendim që do të jepet në seancat e radhës në Gjykatën e Faktit.

11 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›