E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri niset për në Bruksel

Nga Express më 26 shtator 2011 në ora 18:05

(E plotësuar) Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka udhëtuar për Bruksel për të marrë pjesë në raundin e shtatë të dialogut teknik midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, që do të mbahet më 27 dhe 28 shtator.

Në këtë raund do të bisedohet për katër çështje, ajo e telekomunikacionit, energjisë, bashkëpunimi rajonal, si dhe ngecjet e implementimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë dialog.

Qeveria e Kosovës në kuadër të përgatitjeve për këtë takim ka shprehur shqetësimet zyrtare për ngecjet e të gjitha marrëveshjeve e veçanërisht për shkeljen e marrëveshjes për tregtinë e lirë nga ana e Serbisë, që ndërkohë Qeveria e Kosovës po e zbaton këtë marrëveshje që nga 16 shtatori.

Ndërkaq, për shkak të ngecjeve të zbatimit të të gjitha marrëveshjeve, Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga ndërmjetësuesi Robert Cooper që të bëhet një vlerësim zyrtarë për çështjen e ngecjeve në implementimin e marrëveshjeve, pra të vlerësohen përformancat e te dy palëve gjatë gjithë procesit të dialogut, si dhe ka kërkuar që konstruktiviteti i Qeverisë i dëshmuar gjatë gjithë bisedimeve të reflektojë në progresin e Kosovës drejt integrimit në BE.

Po ashtu, Qeveria mbetet e përkushtuar për dialogun, por konsideron se zbatimi i marrëveshjeve është çelës për suksesin e dialogut.

Në delegacionin të Qeverisë së Kosovës janë edhe, Lirim Greiçevci - këshilltar politik i Kryeministrit, Dren Zeka - këshilltar kryesor politik i Zëvendëskryeministres Tahiri, Arjeta Rexhaj – Këshilltare Politike, Gazmir Raci – Këshilltar Politik, Ibrahim Gashi - zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, Florent Bakija - përfaqësues i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Ali Hamiti - kryesues i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Fadil Ismajli - drejtor i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike, Arben Gjukaj - drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, si dhe Qemajl Marmullakaj- zyrtar i lartë për planifikim të politikave.

Stefanoviq zbutet, do ta takojë Tahirin në Bruksel

Takimi i radhës midis përfaqësuesit të Serbisë dhe Kosovës do të mbahet përkundër dyshimeve të shkaktuara nga kryenegociatori i Serbisë, i cili i ka zbutur qëndrimet e tij për përmbajtjen e rendit e ditës për raundin e dialogut për këtë javë, thonë zyrtarët e BE-së.

Boris Stefanoviq, thonë burimeve pranë BE-së se do të vij në Bruksel të nesërmen (e martë 27 Shtator) për të biseduar me Edita Tahirin për çështjet e energjisë, telekomunikacionit dhe pjesëmarrjen e Kosovës në takimet rajonale (ballkanike).

Stefanoviq deri më tash kishte insistuar që në rend të ditës të bisedimeve dy ditore (27 dhe 28 shtator) të futen edhe pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, mirëpo sipas burimeve të BE-së në Bruksel, të afërta me dialogun Serbi-Kosovë, kryenegociatori serb do të marrë pjesë në këto bisedime vetëm për tre çështjet e përmendura, për të cilat është pajtuar edhe Prishtina.

“Natyrisht se që të dy do të vijnë…”, thanë burimet e BE-së në Bruksel.

“Do të bisedohet vetëm për çështjet e energjisë, telekomunikacionit dhe pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale. Nuk do të bisedohet për pikat kufitare. Stefanoviqi mund të kërkoj edhe kur të jetë në Bruksel të bisedohet edhe për të dy pikat kufitare, por kjo nuk do të ndodhë, meqë për këtë duhet edhe pajtimi i palës tjetër, asaj të Prishtinës. Kështu janë rregullat. Të dyja palët duhet të pajtohen për rendin e ditës”, thanë këto burime.

Duke komentuar deklaratat e Stefanoviqit se ai e kushtëzonte ardhjen në Bruksel për këtë raund të bisedimeve me futjen e pikave kufitare në rend të ditës, burimet e BE-së thonë se një ‘shantazh’ i tillë nuk është aspak për çudi.

“Të dyja palët nganjëherë bëjnë deklarata të këtilla për konsum të tyre nga opinioni i brendshëm publik”, thanë burimet.

Edhe Maja Kocijançiq, zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton, thotë se takimi i radhës do të ndodhë.

“Sipas asaj që unë di, takimi do të mbahet të martën pasdite dhe të mërkurën pasdite për temat e energjisë, telekomunikacionit dhe pjesëmarrjen e Kosovës në takimet rajonale”, tha ajo, e lutur që të komentoj deklaratat dhe kushtëzimet e Stefanoviqit. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›