E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizja për Bashkim përkrah Hazirin

Pas deklaratës së deputetit të LDK-së, Lutfi Haziri, për ridefinim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, Lëvizja për Bashkim deklaron se angazhohet për ridefinim të kufijve në mes të dy vendeve.

Deri sa ideja e Hazirit u kundërshtua nga subjektet politike në Kuvend dhe nga vetë partia e tij, LDK, kjo ide ka gjetur përkrahje të Lëvizja për Bashkim.

Në një komunikatë të lëshuar për media nga LB, thuhet se siç është e ditur edhe për opinionin, për këtë çështje LB-ja ka hartuar edhe një platformë të veçantë politike në të cilën parashihet reciprociteti në të drejta midis serbëve të tri komunave në veri të Kosovës: Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok dhe shqiptarëve të tri komunave në Kosovën Lindore: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si hap i parë i cili pashmangshmërisht do të duhej të çonte drejt ridefinimit të kufijve midis dy shteteve.

“Kjo, në fakt, paraqet zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptaro-serbe, dhe si e tillë hap perspektivën e bashkimit të kombit dhe integrimeve euro-atlantike. Prandaj, çdo deklarim, qoftë i deputetëve të Lëvizjes për Bashkim, apo i anëtarëve të tjerë të saj në përputhje me këtë platformë është edhe qëndrim yni zyrtar”, thotë Lëvizja për Bashkim.

Gjithashtu, Lëvizja për Bashkim konsideron se nuk është e vërtetë se për këtë çështje janë të shqetësuar populli shqiptar dhe faktori ndërkombëtar, siç deklaroi kryeministri Thaçi.

“Që të dy këta faktorë janë vërtet të interesuar të gjejnë zgjidhje për problemin e veriut të vendit dhe të Kosovës Lindore. E shqetësuar mund të jetë vërtet vetëm Qeveria e Kosovës, e cila nuk dëshiron ta prishë rehatinë e vet të ndërtuar në kurriz të qytetarëve te Kosovës”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes për Bashkim.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›