Faktori Haziri
_152093.jpg)
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka kundërshtuar të enjten idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë.
Për këtë, ai ka shfrytëzuar seancën e Kuvendit të Kosovës, në të cilën është diskutuar rreth projektbuxhetit të vitit të ardhshëm.
Thaçi ka lënë anash debatin për buxhet duke i dhënë prioritet deklaratave të deputetit të LDK’së Lutfi Hazirit.
“Kjo është më tepër se buxheti, ndarja e territorit të Kosovës dhe çdo ide e tillë është shumë e rrezikshme”
Ideja për shkëmbim territoresh është përmendur javë më parë edhe nga një kongresmen i rëndësishëm amerikan Dana Rochrabacher, por Thaçi nuk ka bërë ndonjë reagim ndaj tij.
Deputeti Haziri ditë më parë ka thënë se shkëmbimi i territoreve me Serbinë do të ishte zgjidhja më e mirë për problemet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës.
“Zgjidhja më e mirë do të ishte kthimi i Kosovës në territorin e vitit 1956”, ka thënë Haziri.
Kjo ide do t’ia kthente Kosovës në territorin e saj Preshevën , Medvegjën dhe Bujanovcin ndërsa, në këta kufij nuk do të hynin Leposaviqi dhe disa fshatra të Zubin Potokut.
”Këto vendbanime me popullatë serbë i janë bashkëngjit Kosovës me qëllim të ndryshimit demografik të popullatës”, ishte shprehur Haziri.
E këto deklarata e kanë shtyrë Thaçin, që pikërisht në seancën kur është paraparë të diskutohet buxheti për vitin e ardhshëm, të kërkojë nga deputetët nëse ky është qëndrim i vetëm një individi apo i partive të caktuara.
“Pyetja ime është nëse është qëndrim i partive të caktuara, apo vetëm i individëve. Jam në favor të ideve dhe opinioneve të lira, por mendoj se këtyre çështjeve të ngritura duhet t’u jepet përgjigje nga Kuvendi i Kosovës”.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës si dhe integritetin e plotë territorial të Kosovës.
“ Dhe asnjë cep mos t’i jepet Serbisë”, ka thënë Thaçi.
Nënkryetari i Kuvendit, nga radhët e LDK’së, Sabri Hamiti ka reaguar ndaj deklarimeve të Kryeministrit duke i quajtur ato slogane të partisë.
“Jemi mbledhur për të diskutuar projektbuxhetin e vitit të ardhshëm e jo të merremi me sloganet e partive”, tha Hamiti.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur edhe për menaxhimin e integruar të kufijve i cili ka ardhur si propozim nga ndërmjetësi i bisedimeve Kosovë Serbi, Robert Cooper.
Ai tha se kjo ide është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës si dhe është model europian e që e ka aprovuar Kuvendi.
Ndërkohë, Sabri Hamiti ka kërkuar transparencë sidomos nga kryenegociatorja Edita Tahiri për bisedimet teknike me Serbinë.
Hamiti ka thënë se Kuvendi duhet të dijë se çfarë po ndodhë me bisedimet, kufijtë dhe pjesën veriore.