E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot fillon konferenca për promovimin e Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin Evropian për Punë të Jashtme dhe Ambasadën e Britanisë së Madhe, sot e hapin konferencën ndërkombëtare “Gërmia Hill”, e cila do të mbahet në Prishtinë. MPJ për dy ditë radhazi do të pret numrin më të madh të mysafirëve që kanë ardhur ndonjëherë në Kosovë.

Zyrtarët e MPJ-së kanë thënë qëllim i kësaj konference është sensibilizimi i opinionit për përmirësimin e imazhit të Kosovës në botë. Respektivisht me këtë konferencë synohet që të përforcohet prezenca e Kosovës në Bruksel, në kryeqytetet e shteteve që nuk na kanë njohur vendin tonë, por edhe të punohet më shumë në rritjen e bashkëpunimit mes diplomatëve tanë dhe homologëve të tyre në botë.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi ka thënë dje se në mesin e pjesëmarrësve do të ketë edhe përfaqësues nga 12 shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, duke përfshirë edhe të Rusisë. Po ashtu do te ketë pjesëmarrës prej Greqisë, Rumanisë, Moldavisë, Spanjës, e vendeve tjera.

Me këtë konferencë, zëvendësministri Selimi mendon që do të arrihet të ndryshohet qasja e atyre shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën.

Ndryshe shteti i Kosovës për herë të parë organizon një konferencë me mbi 100 pjesëmarrës nga mbarë bota, përfshirë ministra të punëve të Jashtme, zv. shefa të shtatmadhorisë ushtarake, ekspert të shoqërisë civile, gazetarë, medie të famshme botërore, të cilët do të mblidhen në Kosovë për dy ditë dhe do të diskutojnë çështjet më parësore të politikës së jashtme evropiane. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›