Ideja e Hazirit, përplas Thaçin e Hamitin në Kuvend

Thaçi u ka rikujtuar deputetëve të LDK-së, të cilët kanë kërkuar që të flas për buxhetin se çështja e territorit është më e rëndësishme.
“Kjo është më tepër se buxheti, ndarja e territorit të Kosovës dhe çdo ide e tillë është shumë e rrezikshme”, ka thënë Thaçi.
Ai ka paraqitur para ligjvënësve shqetësimin e Qeverisë së Kosovës dhe të miqve ndërkombëtarë për idenë e prezantuar ditëve të fundit, përderisa ka thënë se duhet të dihet qartë a është qëndrim individual, apo qëndrim i partisë.
“Shpreh shqetësimin tim në emër të Qeverisë së Kosovës, prezantoj gjithashtu dhe qëndrimin e miqve ndërkombëtarë që kanë prezantuar këtë shqetësim në Qeveri për këto ide të individëve të ndryshëm. Dhe pyetja ime është nëse është qëndrim i partive të caktuara, apo vetëm i individëve. Jam në favor të ideve dhe opinioneve të lira, por mendoj se këtyre çështjeve të ngritura duhet t’u jepet përgjigje nga Kuvendi i Kosovës. Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të respektojë në plotni Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës për respektimin e plotë të integritetit territorial dhe asnjë cep mos t’i jepet Serbisë”, ka thënë Thaçi.
Ai ka thënë se deklarimet e tilla janë në kundërshtim me qëndrimet e Kuvendit, Qeverisë, institucioneve të Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe dokumentet ndërkombëtare për Kosovë.
Sa i përket menaxhimit të integruar të kufirit për të cilën çështje deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti ka kërkuar që të sqarohet, kryeministri Thaçi ka thënë se ideja e Qeverisë për menaxhimin e integruar dhe kontrollin e kufirit shtetëror është në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe ka ftuar të gjithë deputetët që ta lexojnë mirë këtë ligj para se të flasin.
Deputeti Hamiti ka reaguar, duke thënë se nuk mund të devijohet shqyrtimi i Projektbuxhetit me sllogane politike.
“Sot duhet të flasim për buxhetin dhe nuk na ndalon askush që nesër të bisedojmë për këtë çështje”, ka thënë Hamiti, duke iu kundërpërgjigjur kryeministrit Thaçi se nuk ka nevojë t’i jap rekomandime që ta lexojë ligjin.
Kjo polemikë ka ardhur pas deklaratave të deputetit të PDK-së, Halit Krasniqi dhe atij të LDK-së, Lutfi Haziri përkitazi me çështjen e shkëmbimit të territoreve me Serbinë, të cilën deputeti Haziri e ka ngritur si çështje një ditë më parë në media të ndryshme.
Ndryshe, në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës pritet ta miratojë në parim Projektligjin për buxhetin për vitin 2012, i cili parasheh një rritje ekonomike prej 5 për qind. Buxheti për vitin 2012 parashihet të jetë rreth 1.5 miliard euro.