E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Colit, dëshmitë e dy vajzave pritet të jenë më të fortat kundër të pandehurve



Pas të penduarit Adriatik Coli, pritet që dëshmia e dy vajzave, motra me njëra-tjetrën, të jenë më të fortat në duart e akuzës. Ato kanë qenë të dashurat e dy prej anëtarëve të bandës dhe kanë qenë të pranishme apo kanë dijeni mbi disa krime të ndodhura kur banda ishte bashkë. Mësohet se njëra prej tyre u përdor si karrem për të vrarë Marsel Sotirin, rivalin e krerëve të bandës. Mes 194 dëshmitarëve që do të thirren në Gjykatën e Krimeve të Rënda për “Bandën e Durrësit” dhe të pandehurit e saj, do të jenë edhe dy vajza të reja, të njohura si të dashurat e dy anëtarëve të bandës, të cilat janë marrë nën mbrojtje nga shteti dhe kanë fituar statusin e bashkëpunëtoreve të drejtësisë. Njëra prej tyre, e moshës 27 vjeçe, me inicialet V.J., ka qenë pranë “Bandës së Durrësit” që në moshën 17 vjeçe. Ajo ka dhënë në dëshminë e saj rrethana të reja, si dhe ka hedhur dritë mbi disa vrasje për të cilat akuzohen nga prokuroria 16 personat, që u atribuohen një sërë vrasjesh në kuadër të organizatës kriminale. Vajza, sipas burimeve, 9 vjet më parë është mbajtur peng rreth 18 muaj nga i akuzuari Indrit Taullai, mik i Lulzim Berishës, për të mos dëshmuar në gjykatë kundër Klodian Saliut, i cili në atë kohë ishte arrestuar për dy vrasje. Ky i fundit u vra katër vjet më vonë, pas përçarjes së bandës, ndërsa gjatë njërit prej proceseve gjyqësore, i penduari Adriatik Coli akuzoi për këtë ekzekutim Berishën dhe grupin e tij. Dëshmia e vajzës vërtitet, sipas burimeve, rreth vrasjeve të vjetra përpara se grupi të përçahej. Ndërkohë, në statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë dhe në ruajtje nga departamenti i mbrojtjes së dëshmitarëve në Policinë e Shtetit është edhe vajza me inicialet G.J. Dy vajzat janë motra me njëra-tjetrën, ndërkohë që këto dëshmi përbëjnë për prokurorinë një ndër armët më të forta me akuza ndaj të pandehurve kryesorë. Sipas burimeve, pasi të përfundojnë dëshmitë para gjykatës, dy vajzat dhe familjet e tyre, me identitete të ndryshuara, do të dërgohen jashtë Shqipërisë, të ndihmuara nga shteti.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›