Historia që nuk mund të rishkruhet
Rishkrimi i historisë është bërë tashmë një prej temave më të nxehta dhe trajtuara deri diku (ndonëse jo thellësisht), në opinionin publik shqiptar. Megjithatë, ndonëse kjo nevojë ka fituar tashmë konsensusin e pjesës më të madhe të aktorëve në debatin e sotëm publik, historia shqiptare ka mbetur po ajo, e kyçur në të njëjtat skema dhe pikëpamje të ngurta, të kristalizuara përgjatë 50 vjetëve sundimi të hermetizmit doktrinar komunist. Ashtu si edhe në rastin e debatit për hapjen e dosjeve, si edhe të debatit për dënimin e krimeve të komunizmit, iniciativa të tilla bëhen vetëm subjekte për ushqim të përditshëm mediatik dhe asgjë nuk konkludon në produkte konkrete. Përtej mungesës së vullnetit politik, i cili ka të bëjë më tepër me realitetin politik në vend, ka edhe disa arsye reale, të cilat frenojnë procesin e ridimensionimit të vlerave të shoqërisë shqiptare e për rrjedhojë, edhe nevojën për të rishkruar historinë. Arsye të tilla kanë të bëjnë me mënyrën e të menduarit të inteligjencës sunduese në Shqipëri, me mentalitetin e saj, si edhe me vullnetin e saj për t’u hapur ndaj prurjeve të reja të mendimit. Konkretisht, elitat kulturore në Shqipëri, përveç faktit që janë po ato, të cilat kanë prodhuar themelet doktrinare të shoqërisë shqiptare të kohës së diktaturës, janë po aq edhe produkt i këtij mjedisi hermetik ideor, i cili i mban të lidhur pas skemave të vjetra, të ngurta. Pikërisht këto elita vazhdojnë të ruajnë në rrënjët e strukturës së tyre së të menduarit të njëjtat skema që kushtëzojnë mendimin e ideologjive totalitariste si ato që trashëguam nga regjimi i vjetër. Hapësira e tyre konceptuale është e dominuar nga struktura ideologjike që janë të mbyllura ndaj çdo ndërhyrjeje në skeletin e tyre dhe që sado të vishen me pikëpamje të reja të importuara nga bota moderne, ato funksionojnë në të njëjtën mënyrë, gjë që i bën të prodhojnë rrjedhimisht edhe të njëjtat realitete. Fenomene të tilla rishfaqen, sa herë që debati publik prek tema të nxehta dhe të rëndësishme për zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Në këtë mënyrë, botimi i fundit i monografisë së Skënderbeut, e autorit Oliver Schmitt, risolli në vëmendje po të njëjtat dukuri të vërejtura rëndom në debate të tjera të mëparshme, si p.sh., në debatin Qosje-Kadare apo edhe në atë që u zhvillua rreth romanit të deputetit Ben Blushi “Të jetosh në ishull”. Në të njëjtën mënyrë logjika përjashtuese që karakterizon hapësirën konceptuale të inteligjencës shqiptare, paraqiti me përpikmëri të njëjtin zhargon akuzash, denoncimesh, fyerjesh, të cilat synojnë të asgjësojnë bartësin e çdo ideje të re që nuk i nënshtrohet verdiktit të ideologjisë sunduese. Dhe si për të mos mjaftuar kjo, një mori instrumentesh, si dhe një armatë njerëzish, aktivizohen menjëherë për të imponuar heshtje kudo, duke dezinfektuar debatin publik me fletërrufetë e radhës ndaj çdo “shfaqjeje të huaj” të evidentuar, të cilat, sipas tyre, kërcënojnë “paqen ideologjike” të imponuar me mund prej tyre në mjedisin publik. Në këtë mënyrë vigjilenca kolektive aktivizohet menjëherë për të zbuluar dhe goditur grupin armiqësor të radhës, duke dënuar me heshtje çdo embrion të mendimit të lirë e të pagjymtuar nga morsat ideologjike të elitave kulturore sunduese.
Karakteristika më e qenësishme e debatit më të fundit për Skënderbeun, ashtu si edhe në debate të mëparshme, ka qenë mungesa e vullnetit për të marrë në konsideratë tezat alternative të parashtruara, si dhe agresiviteti i pajustifikueshëm për t’i flakur tej, për t’i hedhur poshtë këto teza, pa i njohur ende mirë. Shurdhëria që karakterizon elitat ekzistuese në Shqipëri, bën që debate të tilla të shërbejnë më tepër si vitrina ku ekspozohen tumoret e tyre konceptualë sesa si arena ku rrihet dhe piqet mendimi. Personazhet e përfshira në këtë debat kthehen në këtë mënyrë në gardianë të dijes, duke dërguar në dhomën e izolimit gjithçka që tejkalon kornizat ekzistuese. Për këtë dëshmon në masë pjesa më e madhe e hapësirës së mediave, e cila paraqet pareshtur monologët shterpë që shenjojnë territorin mediatik të monopolizuar prej tyre. Në këtë linjë, mund të shohësh rëndom edhe debate televizive, ku të gjithë “debatuesit” janë të një mendjeje për rrezikshmëritë anonime të hapjes së debateve të tilla. Mënyra se si shtrohet shpesh diskutimi të ngjan më tepër me seanca parlamentare sesa me një debat normal idesh dhe pikëpamjesh. Edhe ligjërimi ngjan më tepër me atë të deklaratave për shtyp, në të cilat ofrohen thjesht qëndrime politike, sesa me artikulime tezash shkencore apo analizash intelektuale që synojnë të mprehin shikimin ndaj fenomeneve. Në këtë mënyrë edhe ky debat u devijua nga linja e natyrshme që do të duhej të merrte për të qenë produktiv, duke degjeneruar në parulla dhe lavde pa kuptim për Skënderbeun dhe simbolet kombëtare (të cilat, natyrisht s’thonë asgjë të re, duke qenë të ripërsëritura pareshtur që nga Rilindja e këtej), a thua se ndokush ka marrë angazhimin për të prishur monumentin e heroit kombëtar! Në fakt, ajo që e bën edhe të papranueshëm këtë zell nacionalizmi, është fakti se ky kor sloganesh brohoritet nga elementë krejtësisht jo-nacionalistë, të cilët tradicionalisht kanë mbrojtur pikëpamje të mirëfillta ksenocentrike, që nga internacionalizmi apo kozmopolitizmi e deri edhe te panballkanizmi.
E gjithë kjo e bën të qartë arsyen pse shoqëria shqiptare është aktualisht e paaftë për të rishkruar historinë. Shqiptarët janë ende shumë larg prurjeve të reja të mendimit shkencor, filozofik, shoqëror e kulturor, të cilat vijnë me shumë vonesë në Shqipëri. Elitat kulturore në Shqipëri operojnë ende me dije të tejkaluara që vijnë prej fillimshekullit XX. Ende në Shqipëri gjykohet mbi formate të iluminizmit dhe modernizmit, si verdikte përfundimtare të zhvillimit të mendimit filozofik, pavarësisht faktit të diskutueshmërisë së tyre sot, dhe pikëpamje të tilla si postmodernizmi, dekonstruktivizmi apo edhe tradicionalizmi janë krejtësisht jashtë diskutimit. Shto këtu edhe formatet skematike të kultivuara në mjediset ideologjike të luftës së klasave, si ato që u adaptuan ngurtësisht në Shqipëri gjatë sistemit monist, vizioni shoqëror i pjesës më të madhe të kësaj elite përbën, pa e tepruar aspak, një asfiksi ideo-kulturore. Në këtë mënyrë, edhe sikur të ekzistojë dëshira e mirë, historia nuk mund të rishkruhet nga të njëjtët njerëz që e keqshkruan atë gjatë 50 viteve të diktaturës e në vazhdim, si dhe mbi të njëjtat themele ideore e botëkuptimore, të cilat e bënë atë një produkt krejtësisht të politizuar, ideologjizuar dhe larg objektivitetit shkencor. Në fakt, historia nuk mund të rishkruhet nga subjekte që janë produkt i vetë asaj. Historia nuk mund të rishkruhet pa ndryshuar më parë dijen, pa ndryshuar metodën e qasjes, pa ndryshuar perceptimin e subjekteve njohës mbi botën, shoqërinë, të ardhmen, zhvillimin. Nuk mund të rishkruash diçka pa e riparë atë, dhe nuk mund ta rishohësh ndryshe pa ndryshuar këndvështrimet me të cilat i qasesh. Në të kundërt, do të rishkruash të njëjtën gjë.
Ky proces nuk vjen as nga dëshira e mirë e as nga ndonjë angazhim politik apo administrativ. Ai vjen në momentin kur dijet e reja na bëjnë të kuptojmë problemet e rendit ekzistues. Pikërisht këtu qëndron problemi kryesor, i cili ka të bëjë mbi të gjitha me vullnetin e inteligjencës. Elitat sunduese të mendimit nuk kanë vullnetin e duhur për t’u hapur ndaj dijeve të reja, ndaj prurjeve të reja të mendimit, për të ridimensionuar vizionin e tyre ndaj shoqërisë shqiptare. Kjo mungesë vullneti vjen jo vetëm thjesht për shkak të ngurtësisë së mentalitetit që strukturon botën e tyre konceptuale, por mbi të gjitha edhe për shkak të nevojës për të ruajtur pushtetin, pasi dija është pushtet dhe çdo dije e re përbën kërcënim për rendin e vjetër. Në këtë mënyrë elitat kulturore në vend janë të interesuara mbi çdo gjë të ruajnë status quo-në, gjë që do të thotë për ta zgjatje e jetëgjatësisë së pushtetit të tyre. Gjithashtu, elitat sunduese janë kundër çdo dekonstruksioni dhe çmitizimi, pasi këto janë mjete të rëndësishme për të kontrolluar racionalitetin. Dhe racionaliteti përbën gjithmonë kërcënim për çdo rend, të cilit i ka kaluar koha dhe mbahet me sforcim, qoftë ky rend politik, ideologjik apo edhe shkencor.
Gjithsesi, duhet kuptuar që koha punon në dëm të atyre që synojnë ta pengojnë hapjen e mendimit drejt zhvillimeve të reja. Duhet thënë që ky është një proces i pakthyeshëm, pasi shtrirja që ka marrë sot komunikimi, në një botë të ngushtuar skajshmërisht në aspektin hapësinor, ku burimet e informacionit janë më pranë se kurrë, nuk mëshiron asnjë skenar që synon izolimin. Vetë hapja e herëpashershme e këtyre debateve, të cilat kanë nisur me zëra të mekur, të shtuara më pas gjatë rrugës, dëshmon se përfshirja e shoqërisë shqiptare në nivelet e reja të debatit mbi fenomenet e reja, me të cilat ndeshet sot bota moderne, është e pakthyeshme. Në këtë mënyrë, iniciativa për të fshehur dijen, për të penguar çdo mundësi depërtimi të saj, për të izoluar shoqërinë prej çdo dijeje dhe informacioni që ridimensionon botëkuptimet tona, kthehet në një utopi, e cila është e destinuar të dështojë. Ajo vetëm mund ta vonojë procesin e ridimensionimit duke vonuar rrjedhimisht zhvillimin e shoqërisë, por kurrsesi nuk mund ta ndalë. Prania e informacionit, si dhe sfidat e reja me të cilat shoqëria shqiptare po përballet pashmangshmërisht, do të sjellin patjetër hapjen e mendimit drejt prurjeve të reja të dijes, të cilat në mos do të dimë t’i integrojmë tashmë në sistemin tonë të të menduarit, do të na rrëmbejnë më pas si uji i një dige të shpërthyer.