E Diel, 1 Nëntor 2026

Moratorium për skafistët e mjekësisë

Nga Xhovani Shyti

Për nga përmasat, agresiviteti dhe kurba grafike e zhvillimit, korrupsioni në shëndetësi mund të paralelizohet pa asnjë hezitim me trafikun e skafeve. I vetmi ndryshim në këtë krahasim binjakëzues qëndron te shtrirja kohore e këtyre dy fenomeneve dhe kategoritë sociale, në duart e të cilëve përfundon fitimi i pamerituar, i rrjedhur nga shkelja ligjore. Kështu, ndërsa skafizmi sot mund të konsiderohet një e shkuar dhe të ardhurat e rrjedhura nga trafiku i refugjatëve klandestinë përfundonin te skafistët e kapot e tyre, korrupsioni në shëndetësi është një e shkuar që vazhdon të hedhë të ardhura marramendëse në llogaritë bankare të mjekëve. Nëse do t’i referohemi viteve të shkuara, do të rikujtojmë se nga përmasat e tejkaluara të trafikut ilegal të klandestinëve numërohen dhjetëra ngjarje tragjike dhe qindra shqiptarë jetëhumbur. Por, përveç tyre, edhe jo pak pranga të hedhura mbi trafikantët e dhjetëra procese hetimore e gjyqësore, që, megjithatë, nuk arritën kurrë ta ndalnin fenomenin jetëvrasës.

Në të njëjtën përmasë skafiste ndodhet sot korrupsioni në shëndetësi, i cili, edhe pse aty-këtu i ndëshkuar penalisht, nuk ka mundur ta vendosë në shinat e Hipokratit shërbimin tonë shëndetësor, që në vend të ofrimit të shërbimeve humane, vazhdon të prodhojë biznes antiligjor. Në kuptimin që përpara se të vrapojnë drejt pacientëve, për t’u ofertuar atë për të cilën ata kanë nevojë, skafistët e mjekësisë nxitojnë t’u ofertojnë atyre mandatën e çmimeve skandaloze, që duhet të paguajnë nën dorë, ku dyshemeja është njëzetë mijë lekë.

Sipas pohimeve zyrtare konfidenciale, e ardhura e jashtëligjshme mujore e një mjeku të zakonshëm obstetër-gjinekolog shkon në rreth treqind mijë lekë dhe po kaq është edhe dyshemeja e fitimit të një kirurgu çfarëdo. Për një lindje pa komplikacione (gjë shumë e rrallë kjo), dorovia është pesë deri në dhjetë mijë lekë), por kjo shumë tre dhe katërfishohet në një lindje çezariane, pra me çarje operacionale. Madje, sikurse deklarojnë burime zyrtare, nga etja për fitim, numri i operacioneve çezariane është rritur së tepërmi, kurse është ulur ndjeshëm lindja në rrugë natyrale.

Edhe më i egër paraqitet realiteti në fushën e shërbimit kirurgjikal, ku dyshemeje për operacionin më të thjeshtë, të realizuar nga një kirurg i zakonshëm, shkon në tridhjetë mijë lekë.

Por, marramendja e fitimeve në sektorin e shëndetësisë shënohet te shefat, tek ata që në zhargonin brendaprofesional thirren “profesorët”, e që në botën e biznesit sinjifikojnë bosët. E ardhura mujore jashtëligjore e këtyre të fundit llogaritet të jetë minimumi tridhjetë mijë euro, kurse ajo maksimale pesëdhjetë mijë euro. Një ish-shef shërbimi i okulistikës p.sh., falë këtij skafizmi profesional zotëron si pasuri të patundshme një vilë, diku andej nga Qyteti Studenti, me vlerë rreth një milion euro, kurse thonë se iu ka blerë shtëpi edhe dy fëmijëve që ndodhen në SHBA. Por e njëjta gjë mund të evidentohet edhe për një drejtues të shërbimit obstetrik-gjinekologjik, që me të ardhurat e pagës shtetërore, disponon apartament, vilë e klinikë private etj. Nga dy-tri apartamente, vila e klinika private, të realizuara me buxhete të pajustifikuara, kanë pjesa më e madhe e këtyre bosëve, të cilët nuk ndodhen vetëm në kryeqytet, por edhe nëpër klinikat e rretheve, ku ushtrojnë aktivitetin e tyre mjekësor.

Duken të ardhura fantastike, por që rezultojnë më se të vërteta, pikërisht në çastin kur, falë denoncimit të ndonjë pacienti kokëkrisur, organet kompetente nisin hetimin dhe zbulojnë llogari bankare qindramilionëshe… Ndaj cituam më sipër se për nga përmasa e fitimit korrupsioni në mjekësi iu ofron ushtruesve të tij të ardhura të ngjashme me atë që iu sillte trafikantëve të klandestinëve transporti me skafe përtej brigjeve të Adriatikut.

Në vigjilje të marrjes së pushtetit qeverisës nga kabineti “Berisha” tre vjet më parë, skafizmi dhe trafiku i refugjatëve klandestinë ishte kthyer në një biznespushtet, pas të cilit qëndronte një ushtri e tërë përvetësuesish, me vendndodhje jo vetëm në hierarkinë e njerëzve të zakonshëm, por edhe të strukturave të pushtetit, madje deri dhe në majat e larta të tij. Madje, ishte pikërisht roli prej tutori i këtyre të fundit, që jo vetëm e inspironte, por edhe e imunizonte fenomenin jetëvrasës, i cili, falë parave pa hesap që dispononte, ishte arritur të shndërrohej në një lloj trafik-leshteriku, që nuk i gjendej as fillimi e as fundi i fillit, e, për këtë arsye, dukej e pamundur të shturritej. Mirëpo mjaftoi një moratorium qeveritar që të tregonte të kundërtën e t’u mbushte mendjen edhe kundërshtuesve më të ashpër të aplikimit të tij se, nëse ekzistonte dëshira, skafistomania mund të zhdukej. Duke shpallur ngrirjen e përkohshme të ligjit për mjetet lundruese, me fuqi motorike më të lartë se mjetet e patrullimit shtetëror, dhe ndëshkim të rreptë ndaj shkelësve të pikave të moratoriumit, qeveria “Berisha” arriti t’i japë fund trafikut të klandestinëve nëpërmjet skafeve e gomoneve. Dhe, ndërkohë që kjo praktikë rezultoi e suksesshme për këtë fushë problematike të jetës shqiptare, a nuk mund të shërbejë si një eksperiencë edhe për shfarosjen e korrupsionit në mjekësi? Sepse vështirë se do të ketë mjek që do të guxojë të shkelë një moratorium antikorrupsion - ta emërtojmë simbolikisht kështu - që do të përmbajë heqjen pa afat të së drejtës së ushtrimit të profesionit ndaj kujtdo mjeku që kapet duke ushtruar veprimtarinë e mitmarrjes. Kjo masë ligjore të jetë taksative dhe e pakthyeshme nga asnjë instancë tjetër administrative apo jashtëzyrtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›