Lëvizjet e mësuesve, përfundimisht më 25 gusht
është mbyllur përfundimisht “kërkimi” dhe përcaktimi i mësuesve që do të vazhdojnë punën edhe për vitin e ri shkollor në radhët e shkollave 9-vjeçare. Lajmi konfirmohet nga drejtoria arsimore e kryeqytetit. Tashmë në listë për verifikime janë shkollat e mesme, profesionale, të profilizuara, apo të karakterit artistik e teknik. Duke nisur nga kjo javë e deri në datën 20 gusht, inspektorët dhe specialistët e drejtorisë arsimore do të kryejnë të njëjtën punë edhe për shkollat e mesme. Të gjithë arsimtarët që aktualisht japin mësim në shkollat e mesme në vend, nëse nuk japin mësim në degën ku kanë kryer studimet e larta, ose nëse rezulton se nuk plotësojnë normën e punës në detyrë, do të largohen nga detyra. Ndërkohë që emërimet, shkarkimet, ndryshimet dhe çdo informacion tjetër do të bëhet i ditur në shkollat e mesme deri më 25 gusht. Pritet që ndër risitë e këtij viti të jenë lëndët me zgjedhje, orët suplementare, përdorimi dhe menaxhimi më i mirë i bibliotekave, aktivitete më të shumta, si dhe kohëqëndrim më i gjatë në shkollë për të gjithë mësuesit që kanë edhe një klasë në kujdestari.
InspektimiKontrolli i mësuesve që japin mësim në arsimin parauniversitar është bërë i ditur nga autoritetet para se të mbyllej viti akademik 2009-2010. Drejtuesit e politikave arsimore sqaruan se tashmë ka ardhur koha që stafi që arsimon e edukon brezat e rinj duhet të jenë i kualifikuar dhe profesionist në lëndën ku jep mësim. Pas testimit të mësuesve, i cili realizohet ccdo 5 vjet, për 5, 10, 15 vjet përvojë në arsim, një tjetër “pengesë” për arsimtarët është edhe kalimi në “sitën” e inspektorëve të drejtorive arsimore. Ata përgjatë gjithë muajit gusht do të kryejnë kontrolle e do të realizojnë vëzhgimet e nevojshme. Më pas do të jenë specialistët e drejtorive arsimore që në bazë të raportit do të firmosin urdhrat e fundit për sa u takon lëvizjeve, ndryshimeve, apo edhe largimeve nga puna. Sipas drejtorisë arsimore, dokumentet me lëndën informuese do të jenë në sekretaritë e shkollave deri më datë 25 gusht.
SeleksionimiMësuesit janë seleksionuar në mënyrë të tillë, duke marrë për bazë arsimimin, kualifikimin, saktësinë e lëndës që japin, në përputhje me formimin universitar, përmbushja e normës, programit të kërkuar nga drejtoria arsimore, si dhe përvojën në punë.
Eksperienca është një tjetër tregues dhe faktor ndikues në përzgjedhje. Deri në fillim të muajit shtator, atëherë kur pritet të nisë puna për mësuesit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, do të ketë përfunduar kontrolli në disa faza.
Pas inspektimit për mësuesit që japin mësim në shkollat e mesme, profesionale apo të karakterit artistik do të mbyllet faza e largimeve dhe zëvendësimeve me emërime të reja. Po ashtu, pjesë e fundit është edhe sistemimi i normës dhe programit të punës për secilin mësues. Sakaq, ndërsa në Tiranë apo qytete të tjera të mëdha ka numër të konsiderueshëm nxënësish, rregullimi i normës dhe i programit mbetet më i thjeshtë se në shkollat ku ka më pak nxënës.
#