E Diel, 1 Nëntor 2026

Italianët vjedhës të bankave përballen me togat e zeza

Seanca e parë për gjykimin e Luca Calvi e Gabriele Pasqualino do të nisë sot në orën 11.00

Duhet të kishte filluar dje në Gjykatën e Faktit procesi i gjykimit për dy italianët e kartave bankare të klonuara, të akuzuar për “mashtrim kompjuterik”. Sipas faqes zyrtare të gjykatës, ishte njoftuar zhvillimi i procesit në orën 11.00, por poshtë tij, edhe pse nuk jepen arsyet e moszhvillimit, bëhet me dije se seanca e parë do të nisë sot në po të njëjtën orë. Dy të rinjtë italianë kishin hyrë në vendin tonë me synimin për të tërhequr nga bankomatet me karta false shuma të konsiderueshme parash, por policia i ka vënë në pranga vetëm pas katër ditësh aktivitet kriminal, nga i cili thuhet se kanë përfituar rreth 30 mijë euro.

Policia dhe Task Forca e paraqitën me bujë operacionin, duke theksuar se të rinjtë nga përtej Adriatikut, Luca Calvi e Gabriele Pasqualino, me përfitimet nga aktiviteti i tyre bënin jetë mondane në hotelet luksoze të kryeqytetit. Sipas prokurorisë, Calvi e Gabriele u prangosën vetëm dy ditë pasi kishin mbërritur në Shqipëri dhe kishin mundur të tërhiqnin një shumë prej afro 30 mijë eurosh. Në fund të qershorit, njësia e specializuar Task-Forcë, pranë Prokurorisë së Tiranës, përfundoi hetimet për dy të akuzuarit dhe dorëzoi për gjykim dosjen penale në ngarkim të tyre, e cila u regjistrua në fillim të muajit korrik. Italianët akuzohen për veprën penale të “mashtrimit kompjuterik”. Prokurori pretendon se ka prova të pakundërshtueshme për të vërtetuar fajësinë e tyre dhe sipas akuzës, organizator i të gjithë veprimtarisë kriminale dyshohet se është i akuzuari Calvi, ndërsa miku i tij, Gabriele, dyshohet se ka realizuar tërheqjen e parave.

Sipas kërkesës për gjykim të prokurorisë, më datë 13 janar 2010 të pandehurit Luca Calvi e Gabriele Pasqualino, janë arrestuar në flagrancë për kryerjen e veprës penale “mashtrimi kompjuterik”. Më 12 janar 2010, një bankë që operon në vendin tonë, vuri në dijeni organet e policisë se gjatë kontrollit të një prej bankomateve shumë pranë qendrës së Tiranës, ishte konstatuar një kartë plastike e bardhë me shirit magnetik, e cila dyshohet se është e falsifikuar. Agjentët antikrim nisën investigimin dhe konstatuan disa pamje filmike të regjistruara nga kamera e sigurisë pranë bankomatit, të cilët përkojnë me orën e përdorimit të kartës. Në këto pamje ishte vërejtur një person mashkull i moshës rreth 20-25 vjeç, i cili ka kryer veprime në bankomat. Gjithashtu, personi me të njëjtat karakteristika është regjistruar nga kamerat e sigurisë që ndodhen në bankomatet e një tjetër dege të bankës, gjatë orëve të natës, ku dallohet se ka kryer veprime të vazhdueshme, duke përdorur karta plastike. Në këtë rast, personi ishte i shoqëruar edhe nga një tjetër. Punonjësit e bankës u kanë thënë hetuesve, se të tilla veprime ishin konstatuar edhe ditë të tjera më parë, në disa bankomate të tjera.

Nga hetimet e prokurorisë doli se dy piratët italianë, që kanë bastisur dhjetëra llogari bankare me karta krediti të klonuara, kanë qenë “profesionistë” të fushës. Prokuroria e Tiranës, e cila ka marrë në dorë hetimet pas arrestimit të Luca Calvit dhe Gabriele Pasqualinos, të dy nga Genova në Itali, deklaron prova se italianët e kryenin aktivitetin e paligjshëm edhe në shtetet e tjera të rajonit. “Dyshohet se Calvi dhe Pasqualino kanë grabitur me karta krediti edhe në Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë, apo vende të tjera në Ballkan”, thanë pas arrestimit burime të Prokurorisë së Tiranës.
Për herë të parë, italianët kanë ardhur në Shqipëri gjatë muajit shtator 2009, ku qëndruan vetëm katër ditë. Për një kohë kaq të shkurtër ata kanë kryer dhjetëra transaksione. Por jo të gjitha kanë qenë të suksesshme. Me këto transaksione, ata kanë tentuar të tërheqin rreth 15 milionë lekë, por kanë marrë vetëm gjysmën e tyre. Ndërsa për herën e dytë, mësohet se ata kanë përdorur mbi 100 karta. Kështu, nga të dhënat e mbledhura, duke kontaktuar edhe me pikat kufitare, ka rezultuar se dy italianët e arrestuar kanë hyrë në Shqipëri më datë 9 janar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›