Lëvizjet e vogla në Qeveri do të jenë të vazhdueshme

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka vlerësuar se vendi ynë ka një qeveri stabile dhe funksionale, pavarësishtë ndryshimeve të vazhdueshme, të cilat ai i ka quajtuar lëvizje të vogla.
Numri dy i ekzekutivit ka thënë se kompletimi i tërësishëm i Qeverisë pritet të bëhet shumë shpejtë, por nuk ka përjashtuar mundësinë që brenda afateve të shkurtra kohore të bëhen edhe ndryshime të tjera në pozitat kyçe të saj.
“Ajo që mund të them është se qeveria është stabile në kuptimin më të mirë të fjalës dhe ne kërkojmë që të jemi të përgjegjshëm për pritjet që kanë qytetarët, t’i realizojmë objektivat që i kemi ne, por edhe ato që i pret qytetari i Kosovës, por edhe BE-ja, ndërsa lëvizjet e vogla, jo tektonike do të jenë të vazhdueshme. Pres që shumë shpejtë të bëhet një kompletim i tërësishëm, por pa garanci që dikush do të mbetet atje deri në fund të mandatit, apo përjetësisht. Puna do të jetë ajo që do ta mbajë dike apo jo”, ka thënë Kuçi.
Duke dashur të qartësojë kompetencat e gjashtë zëvendëskryeministrave, Kuçi ka thënë se puna në Qeverinë e Kosovës mbështetet në rregulloren e punës dhe në organogramin e ndarjes së kompetencave.
Ai nuk ka dashur të komentojë në lidhje me atë se cilat do të jenë pozitat, të cilat do t’i jepen AKR-së, pas humbjes së postit të presidentit.
I pyetur për rolin e faktorit vendor në lidhje me hetimet ndërkombëtare rreth raportit të Dik Martit, Kuçi ka theksuar se qështjet të cilat kanë të bëjnë me krime të luftës, janë në kompetencë ekzekutive të EULEX-it.
“Ju e dini që çështjet që kanë të bëjnë me krime të luftës, janë në kompetencë ekzekutive të plota të EULEX-it. Vendorët kanë treguar vullnet, nuk i frikësohemi të vërtetës, nuk i frikësohemi të drejtës, por kemi nevojë që ajo e vërtetë dhe e drejtë të vijë sa më shpejtë që është e mundur”, ka shtuar ai.
Ai po ashtu ka siguruar pensionistët se është duke punuar intensivisht në përmbushjen e kërkesave të tyre, ndërkaq ka shtuar se tash më janë ndarë rreth 8 milionë euro për implementimin e ligjit për pensione.
“Javën e kaluar e kam takuar dy herë Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës, kryesinë e tyre. Kemi diskutuar konkretisht, janë dy kërkesa, e para ka të bëjë me çështjen e shumës së pensionit dhe e dyta me ligjin, dhe natyrisht që ne e kemi paraparë që me buxhetin e Kosovës për vitin 2011 edhe shumën për rreth 8 milionë, që ka të bëjë me implementimin e Ligjit për pensione”, ka theksuar zëvendëskryeministri./kosovapress/