Rezultatet për noterë, brenda javës
Komisioni i Provimit të Noterisë pritet që brenda javës të dal me rezultatet për përzgjedhjen e noterëve të parë të Kosovës. Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka vlerësuar se ndër prioritetet e kësaj ministrie është edhe funksionalizimi i sistemit të noterisë në Republikën e Kosovës, sistem ky që sipas tij pritet të jetë kualitativ dhe pa defekte.
Ai i bëri këto komente të hënën pas takimit që ka zhvilluar me Pjer Bek, kryetar i Akademisë Noteriale Evropiane dhe me Mehdi Deharin, kryetar i Komisionit të Noterisë në Republikën e Kosovës.
“Rezultatet që pritet të publikohen kah fundi i javës, janë rezultate të përbashkëta të Komisionit vendor dhe të Unionit të Noterisë Ndërkombëtare, të cilët më gëzojnë mua, por besoj edhe kandidatët, se është një vlerësim real, i plotë dhe i pranueshëm. Uën do të vazhdoj bashkëpunimin me Unionin e Noterisë Ndërkombëtare edhe në fazën e përgatitjes së provimit me gojë për kandidatët, të cilët e kanë kaluar provimin me shkrim, por edhe në fazën e implementimit të këtij projekti”, ka thënë Kuçi.
Kuçi ka kërkuar nga kryetari i Unionit të Noterisë Evropiane bashkëpunim të plotë, të sinqertë dhe në të gjitha fazat e ndërtimit të sistemit të noterisë në Kosovë edhe në përgatitjen e gjeneratave të tjera të noterëve.
Ai ka thënë se nuk do të certifikojë asnjë noterë, i cili nuk do të marrë edhe bekimin e Unionit të Noterisë Evropiane.
Ndërsa, Pjer Bek, kryetar i Akademisë Noteriale Evropiane, tha se noteria është një sistem që ekziston që njëmijë vjet dhe i cili u ka dhënë një siguri transaksioneve në mbarë botën.
Ai shprehi bindjen e tij se vendosja e noterisë në Kosovë është shumë e rëndësishme për jetën e qytetarëve të saj, ndërkaq shtoi se Kosova ka kandidat të mirë, të cilët pritet që të ngarkohen me këtë detyrë.
“Në testet me shkrim që kishin bërë kandidatët, ne kemi gjetur shumë punime të mira, pra që tregojnë që kemi kandidat të mirë për noterë dhe jemi të bindur që komisioni vendor në provimin tash më me gojë do të zgjedh ata kandidat, të cilët vërtetë meritojnë dhe të cilët janë më të mirët për t’u bërë noterë të Kosovës. Gjatë bisedës me ministrin, nuk e kam fshehur vështirësinë dhe delikatesën që ka ky profesionet në fillimet e saja”, ka thënë Bek.
Sipas Bek, noteri është një zyrtarë publik, i cili u jep akteve forcën prodhuese dhe atë ekzekutuese. Ai tha se kjo edhe është arsyeja e pranisë së noterisë në të gjitha vendet e së drejtës civile. /kosovapress/