'BE t’i kushtëzojë palët në dialog '

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko, thotë se mungesa e marrëveshjeve konkrete ndërmjet delegacionit serb e atij kosovar ka të bëjë me qëndrimet ende të kundërta ndërmjet palëve dhe atmosferës ekzistuese në fillim të bisedimeve.
Biserko theksoi që rezultatet nga procesi, i cili, sipas saj, ka nisur në frymën e një presioni të Brukselit zyrtar, duhet të nxiten nga vetë Bashkimi Evropian.
“Ata duhet të jenë më të qartë. Mendoj se duhet t’i kushtëzojnë me të vërtetë të dyja palët, duke lënë të kuptohet se rezultatet e dialogut do të ndikojnë te të dyja palët, ose duke bërë të ditur që përfitimet e dialogut do të jenë për të dyja palët në procesin e hyrjes në BE. Mendoj se përfitime duhet të ketë për të dyja palët”, ka thënë Biserko, për Radio Evropa e Lirë.
Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë paralajmëruar të vazhdojnë këtë javë, me diskutimet mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve dhe mbi temat për të cilat nuk është arritur ndonjë marrëveshje në dy raundet paraprake.