Makolli: AKR mund të jap kontribut në dikasteret ekonomikë

Megjithëse Behgjet Pacolli zyrtarisht nuk është kryetar i Aleancës Kosova e Re, dorëheqja e tij nga kandidatura për president të vendit, do t’i sjellë AKR-së edhe dy ministri shtesë në kabinetin qeveritar dhe tri poste zëvendësministrore. Madje, AKR synon që këto dikastere që do t’i marrë në drejtim t’i përkasin fushës së zhvillimit ekonomik.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Ibrahim Makolli, në një bisedë për Kosovapress, ka thënë se kanë nisur bisedimet me PDK-në për një riorganizim të brendshëm dhe është arritur pajtueshmëri për ndarjen e posteve, mirëpo ende nuk dihet se cilat ministri do të kalojnë në duart e AKR-së.
“Jemi pajtuar në parim që t’i ketë plus dy ministri, të udhëheq me dy ministri dhe po ashtu të ketë edhe tre zëvendësministra shtesë. Ky ka qenë pajtimi që kemi pasur dhe natyrisht ditëve të ardhshme do të shohim se cilat do të jenë ato dikastere, do t’i bisedojmë në mënyrë që të krijohen mundësitë pastaj edhe për caktimin e personave që do të jenë bartës të këtyre funksioneve”, ka thënë Makolli.
Ai nuk e ka fshehur dëshirën e AKR-së që të ketë nën menaxhim dikasteret që prekin zhvillimin ekonomik të vendit, mirëpo gjithçka megjithatë i takon bisedimeve që do të zhvillohet edhe më tej ndërmjet partnerëve të koalicionit.
“Ajo që ne do të jepnim një kontribut më të madh janë dikasteret që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të vendit, por megjithatë mbetet që në bisedat që do t’i kemi me ta të shohim se cilat dikastere do të mund të na takojnë neve”, ka thënë Makolli.
Edhe vetë Makolli, i cili aktualisht është shef i Grupit Parlamentar të AKR-së, është përmendur si njëri prej emrave të mundshëm për ministër, mirëpo ai ka thënë se brenda AKR-së ende nuk është biseduar për kandidatët e mundshëm, por ndërkohë nuk mohon se mund të jetë edhe ai një prej tyre.
“Edhe më tutje ne nuk i kemi biseduar se cilët mund të jenë kandidatët e mundshëm për të udhëhequr me këto poste. Brenda AKR-së ka kapacitete të mjaftueshme për të udhëhequr me cilindo dikaster”, është shprehur Makolli.
Makolli ka shprehur bindjen se brenda kësaj jave do të përmbyllet procesi i riorganizimit të kabinetit qeveritar.
Politika e jashtme, ishte një prej dikasterëve të cilët PDK-ja ia kishte ofruar Behgjet Pacollit që në fillim të lidhjes së koalicionit, mirëpo në rrethanat e reja të krijuara pas zgjedhjes së presidentes konsensuale, ky dikaster do të mbetet në duart e PDK-së, për faktin se edhe Pacolli tashmë ka marrë postin e zëvendëskryeministrit të parë, i cili në fushëveprimin e tij ka politikën e jashtme, përkatësisht lobimin për njohje dhe investimet e jashtme./kosovapress/