Uji i pijshëm në jug të Mitrovicës, në veri jo

Enti për shëndetin Publik në veri të Mitrovicës nëpërmjet një komunikate për media ka vlerësuar se uji që prodhohet në ujësjellësin rajonal të Mitrovicës, ende nuk është për pije, pasi që nuk janë bërë analizat mikro-biologjike lidhur me shfrytëzimin e tij për pije.
Sipas kësaj komunikate, rezultatet e mostrave të ujit që janë marrë të shtunën, do të jenë të gatshme të hënën, andaj qytetarëve të Mitrovicës dhe Zveçanit ju këshillohet që këtë ujë ta shfrytëzojnë vetëm për nevoja teknike.
“Analizat që janë bërë deri tash kanë treguar se të gjithë parametrat në kufijtë e normales dhe se uji kimikisht është në rregull, por vetëm pas kryerjes së analizave komplete mikro-biologjike, mund të thuhet se a është uji për pije apo jo”, thuhet në komunikatën e Entit për Shëndetin Publik në veri të Mitrovicës.
Në anën tjetër drejtori i Ujësjellësit rajonal në Mitrovicë, Faruk Hajrizi ka thënë se uji i cili është dërguar tani te konsumatori i plotëson të gjitha parametrat bakteriologjike dhe kimike për pije.
Sipas tij, të gjitha vetitë fizike dhe kimike të ujit janë në rregull dhe uji është plotësisht i pijshëm.