E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizjet në Presidencë, Topi bën ndryshime në staf

Për dy vite e gjysmë më radhë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nuk trazoi asnjë nga anëtarët e stafit të tij presidencial për ta larguar nga puna. Por pas kësaj periudhe të gjatë kohe, kreu i shtetit ka bindur vetveten për të bërë ndryshime në staf, madje thuhet se të tjera lëvizje do të vijojnë ditët në vazhdim. Z. Topi i cili mbërriti në Presidencë falë votave të mazhorancës së djathtë, ka firmosur largimin nga stafi i tij i afërt të z. Ardian Myderrizi, i cili u emërua në këtë post që në ditët e para të Topit President. Në vendin e tij si këshilltar për çështjet urbane dhe decentralizimin, z. Topi ka emëruar z. Arben Shehi, një tiranas autokton dhe specialist i kësaj fushe. Por surpriza e Presidentit Topi ndalon tek emri i politikanit Spiro Peçi, aktiv në radhët e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, disa herë deputet dhe anëtar i Komisionit të Ligjeve. Kreu i shtetit e ka emëruar ish-kolegun e mëparshëm të Parlamentit këshilltar ligjor. Në këtë rast, z. Topi ka përforcuar stafin e tij të këshilltarëve ligjorë, pasi Artur Metani mundi t’u “mbijetonte” ndryshimeve të thella të Presidentit të ri Bamir Topi dhe ai ishte ndër të vetmit ish-këshilltarë të Presidentit Alfred Moisiu që mundi të ruante postin e këshilltarit ligjor në këtë institucion. Përveç tij, të gjithë të tjerët u zëvendësuan. Madje, ka zërë brenda Presidencës se z. Metani është drejt largimit, ndonëse të pazyrtarizuara, pasi momentalisht ai vazhdon të jetë pjesë e grupit të këshilltarëve të z. Topi. Burimet pohojnë se Presidenti po shkon drejt vendimit për të marrë më në fund edhe këshilltarin politik, vend vakant ky që prej zgjedhjes së tij në krye të shtetit. Flitet për disa nga të ikurit nga PD-ja, por gjithsesi aktualisht, Bamir Topi punon pa një këshilltar politik, ndonëse organika e Presidencës e pranon një gjë të tillë. Gjithsesi, ky është fillimi i dytë i ndryshimeve që z. Topi po ndërmerr në stafin e tij presidencial, ndërkohë që duket se të paprekurit nga lëvizjet e reja mbeten sekretari i përgjithshëm Aleksandër Flloko, drejtori i kabinetit Dashamir Xhaxhiu, këshilltari për shëndetësinë, ish-ministri i PD-së z. Maksim Cikuli dhe ai për ekonominë, z. Kasem Seferi. Pjesa tjetër duket se nuk ka sigurinë e plotë se do të vazhdojë në postet aktuale deri në përfundimin e mandatit të Presidentit Bamir Topi,
pasi të tjera lëvizje mund të bëjnë të mundur zëvendësimin e tyre. Bamir Topi është zgjedhur President i vendit më 20 korrik të 2007-s nga Kuvendi i Shqipërisë me 85 vota dhe Kushtetuta i jep atij të drejtën e një mandati 5-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje. Zgjedhja e tij në karrigen e kreut të shtetit u shoqërua me një debat të ashpër politik, ku një pjesë e opozitës së majtë vendosi të bashkonte votat me të djathtët, duke bërë të mundur zgjedhjen e Topit në krye të shtetit. Edhe 2 vjet e gjysmë pas marrjes së detyrës, çështja e zgjedhjes së Topit vazhdon të jetë e debatueshme, ndërkohë që tani kanë filluar diskutimet për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit sapo Topit t’i përfundojë mandati kushtetues.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›