E Shtunë, 31 Tetor 2026

Princesha shqiptare, një dashuri e ndaluar

Nga Arkivi Qendror i Shtetit publikohet për herë të parë artikulli i gazetës “Boston Globe”, i botuar më datë 14 shkurt 1932, i cili flet për një histori dashurie mes Princeshës Ruhie dhe një oficeri të Gardës Mbretërore. Princesha Ruhie, motra më e vogël e Ahmet Zogut, mbasi i rrëfeu dashurinë të vëllait, ky i fundit e largoi menjëherë për në Vjenë, ndërsa fati i oficerit të ri nuk dihej. Për herë të parë gazeta “standard” boton artikullin origjinal, emri i autorit ishte e vështirë të dallohej në gazetën e kohës, kopja e së cilës u gjendet në arkiv, e përkthyer me titullin origjinal: “Princesha humbet Zemrën, i dashuri mund të ketë humbur kokën”

Boston Globe
Princesha Ruhie Zogu, më e reja motër e Mbretit Zog të Shqipërisë bëri lajthimin që nuk i falet faji, ra në dashuri me një oficer të hijshëm të Gardës Mbretnore. Sapo që arriu lajmi në Vjenë nga Tirana, drejtorët e kinemave në Hollywood besuan se vunë në dorë një aktoreshë të re. Ngjarja është e përgjithshme dhe mjaft njerëzore. Dëgjojmë dendur që çupa të pasura martohen me shoferët e tyre, për asnjë arsye tjetër përveç se bien në dashuri. Qeshim me ngjarjen dhe e harrojmë në pak ditë. Po jemi njerëz, jo Mbretër dhe Princesha. Mbret Zogu i Shqipërisë, vetë beqar, ka katër motra të bukura, të gjitha kanë shkuar nga 20 vjet beqare dhe janë edhe të pamartuara. Dhe një vajzë që shkon në njëzetin vit quhet “plakë” në Shqipëri. Një ditë siç thuhet, Princesha Ruhie, më e reja dhe më e guximshmja nga të katërta, shkeli rregullat duke i folur një oficeri të hijshëm, të cilin e pyeti: “A më do mua” - “E dua të gjithë Familjen Mbretnore”- u përgjigj ushtari në mënyrë diplomatike, me dinjitet dhe qëndrim të mirë. E shkelur, po jo e mundur, vajza e ndoqi qëllimin e saj sipas zakonit të çupave amerikane, “Zëre dhe mere”. Ajo deshi t’i jepte dashurinë e saj ushtarit të paguximshëm. Dhe ai e dinte. Ai e merrte me mend se deti që i ndante ishte i madh dhe i pakapërcyeshëm: ajo, një princeshë dhe ai një njeri pa shkallë të lartë. Po më në fund ushtari iu përul zërit saj tërheqës dhe gjithë në atë çast nënshkruante dekretin e vdekjes, se e dinte fare mirë se ç’e priste. Një ditë Princesha Ruhie mundi ta fshehë të dashurin e saj në një odë në Pallat, kur ajo vajti të fjalosej fare hapur me vëllain e saj të ashpër, Mbret Zogun. U gjunjëzua përpara Mbretit duke kallëzuar dashurinë e saj dhe i dashuri i saj mbante vesh në odën tjetër. Mbreti vuri një cigare në një pjatë të artë duhani dhe ndezi një tjetër, se Mbreti është një buhar i vërtetë: pi 250 cigareta në një ditë dhe pastaj i hodhi një vështrim të mprehtë motrës duke thënë: “A mbarove Ruhie?” Vajza e kuptoi që e humbi dashurinë e saj. Prandaj Mbret Zogu i tha motrës se ajo duhej të ishte e marrë që të binte në dashuri me një oficer, gjë që i sjell çnderim derës mbretnore. Ajo duhej t’ëndërronte të martohej në ndonjë derë mbretnore, siç u bë Princeshë e një shkalle të lartë. Nuk dihet sigurisht kur doli Princesha Ruhie nga Shqipëria, po pas ngjarjes, u mor vesh ndodhja e saj në Vjenë, ku shfaqet kabareve të Vjenës, heth valle dhe këndon për të zbavitur shoqërinë e lartë vjeneze. Dëshiron të jetë afër Shqipërisë, që mbase i dashuri i saj, si ajo vetë, të dalë nga Shqipëria dhe të bashkohen. Ku është i dashuri i saj? Gazetat e Ballkanit thonë se ndodhet në burg. Po ka të ngjarë që ai të jetë në varr.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›