Lexim pa anësi i arkivit Migjeni
Brikena Smajli foli më 13 tetor në Akademinë e Arteve për Arkivin Migjeni në Muzeun Historik të Shkodrës. Ajo pati aftësinë të paraqesë lëndën e këtij arkivi me kthjelltësi e pa bezdi sikurse nuk ndodh shpesh me leximin e dokumenteve për një publik. Për shkak të një problemi teknik autorja e kumtesës, e ftuar nga Universiteti i Tiranës dhe Qendra e Studimeve Albanologjike me disa studiues të tjerë për një lexim të ri të jetës dhe veprës së poetit shqiptar, Smajli nuk mundi ti paraqesë kopjet e dokumenteve origjinale të cilat ajo i këqyr përmes rreshtash.
Arkivi i Migjenit në Muzeun e qytetit të Shkodrës i krijuar më 13 tetor 1961 ruan pak material prej. Megjithatë pedagogia e Letërsisë në Universitetin Kristal, Smajli ngre disa pyetje të reja, të cilat ajo i shtron në këtë intervistë për Shekullin.
Për këto nuk është e interesuar familja Luarasi dhe këshilltarët politikë kameleonë pranë saj që e kërkojnë monopol privat veprën e Migjenit, në të gjitha format: nga amendamentet Ceka (2008) në një qorrparlament, te fyerjet e rrugës, brenda studiove televizive ku pretendojnë që për Millosh Gjergj Nikollën, ti thuhet e ti jepet publikut gjithë çështë dhe nuk është e drejtë sipas tyre.
Fondi Migjeni në Muzeun Historik të Shkodrës si është krijuar, pasuruar apo edhe varfëruar në vite.
Fondi Migjeni është themeluar, pikërisht 50 vjet më parë, më 13 tetor 1961, me rastin e 50-vjetorit të lindjes së autorit. Burimet nga janë marrë materialet janë kryesisht fondi i Arkivit të Shtetit, familjarët, miqtë e dashamirët, si edhe institucionet shtetërore. Kuptohet ai është pasuruar e plotësuar ndër vite, me materiale e dokumente, ashtu siç mund të pasurohet ende sot që po flasim, me të dhëna të tjera.
Dokumentet dhe certifikatat e familjes Nikolla, a ka mes tyre të dhëna që lënë vend për diskutimin e përkatësisë etnike të Nikollave?
Në dosjen nr.1 të fondit janë dhënë një mori të dhënash identitare të Migjenit, çertifikata e lindjes, dëftesa shkollore, pasaportat. Jo në të gjitha shënohet kombësia a etnia. Vendlindja është e qartë, Shkodër, Shqipëri. I vetmi dokument ku shënohet kombësia është ai i pasaportës dhe lejeqëndrimit për në Itali (kombësia shqiptare – nazionalita: albanese) si edhe në letrën bashkëshoqëruese të eshtrave të tij 6 tetor 1955, shënohet: La presente cassetta contiene i resti della salma dello scrittore Albanese Millosh Gjergj Nikolla, fu Giorgio, nato a Scutari li 13 ottobre 1911.
Dokumentet shkollore, dëftesat shënojnë vendlindjen Shkodër (Shqipëri) pa përcaktuar nacionalitetin, as etninë. Ndërsa dëftesa e maturës së Migjenit ka të shkruar: Millosh Gj. Nikolla, i biri i të ndjerit Gjorgj, tregtar – i lindun në Shkodër (Shqipni) me 30 shtatuer 1911 – i besimit orthodoks – linduer – ka krye në vjetin 1931-32 klasën e pestë të seminarit në Bitolj…. Teksti që po citojmë në shqip është përkthyer nga vetë Migjeni, me shkrim dore.
Ju folët për disa dokumente që kanë të bëjnë me motrën Ollga e që në mënyrë indirekte të çojnë te arsimimi i Migjenit. Si qëndron puna?
Ollga Nikolla është motra më e vogël e Migjenit. Ajo ka kryer gjithë hallkat e arsimit, edhe atë universitar. Këtë të fundit e ka vazhduar, përfunduar me bursë të Shtetit shqiptar në Itali. Në kohën kur Millosh Nikolla pranoi nëpunësinë e tij shqiptare si mësues në Vrakë, motrës Ollga që studionte me bursë të shtetit jugosllav për letërsi në Bosnje, i ndërpritet kjo bursë në vitin e fundit të studimeve, prandaj ajo kthehet në Shqipëri. Informacionin e mësipërm e marrim vesh nga një letër e saj si edhe Inspektorisë së Drejtorisë Arsimore, Shkodër drejtuar Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë për një bursë studimi për jashtë. Letra mban datën 17.08.1933. Kërkesa nuk plotësohet po atë vit, pasi atë vit ministria nuk dha asnjë bursë studimi për jashtë (shkresë e dt. 08.01.1934) Ollga emërohet mësuese në shkollën e Garucit, pastaj në atë 28 nanduer, por vitin shkollor pasardhës ajo do të marrë bursën e kërkuar (shkresat e dt. 21-22.11.1934) dhe do të përfundojë studimet në Torino.
Pyetja është: Pse Millosh Nikolla (Migjeni) nuk arriti asnjëherë të regjistrohet për studime universitare (për letërsi, siç kërkonte) jashtë? Të ketë qenë shkak mungesa e predispozitës së shtetit të atëhershëm shqiptar, ndaj nëpunësit të vet, që kishte treguar jo pak përkushtim dhe, marrëdhënia zyrtare me të cilin është më se korrekte?
Si do ta lexonit ju dokumentacionin e arsimimit të tij?
Atëherë shtrojmë pyetjen tjetër: Cili është shkollimi i Migjenit, diploma e maturës e së cilës do mundësonte këtë regjistrim? Migjeni është dekretuar (jo emëruar) nga Kryeministri i atëhershëm Pandeli Evangjeli (dekreti nr. 395, dt. 18.05.1933) dhe Ministri i Arsimit dr. Mirash Ivanaj. Detyra që po ndërmerrte nëpunësi i ri (mësues) ishte shumë delikate dhe e vështirë. Reforma arsimore e nisur nga ministri i atëhershëm i arsimit dr. Mirash Ivanaj, po synonte të forconte shkollën kombëtare, duke shkëputur, ndër të tjera, shkollën nga feja si edhe duke forcuar arsimin shqiptar përkundrejt shkollave të huaja. Millosh Nikolla nuk ndeshi vështirësi vetëm rrugës shkuarje e ardhje me biçikletë për në Vrakë, vështirësi që do t’i kapërcejë me sukses. Arsimi i detyruar ishte 5 klasë të shkollës shqiptare, arsimit shqip. Në këtë kuptim Millosh Nikolla, i emëruar mësues, madje zv/kryemësues në këtë shkollë, qoftë kjo edhe shkolla e Vrakës, me një problematikë të veçantë, a e kishte shkollimin e nevojshëm, si për shembull atë të mësuesit të Normales së Elbasanit? Përgjigjja është: Jo. Lëndët e studiuara në vitet e shkollës së Tivarit dhe asaj të Bitoljes në Manastir, janë tipike për shkollimin ortodoks fetar, aq më tepër, jo në shqip dhe nuk përkojnë me lëndët e studimit të gjimnazit (klasik apo shkencor), as Normales së Elbasanit. Që Migjeni është emëruar për arsye të veçanta dhe specifika të të qenit i veçantë edhe si formim teologjik, në një shkollë si ajo e Vrakës, kjo as që vihet në dyshim. Gjithsesi duhet ti jetë kërkuar dhënia e disa provimeve plotësuese, qoftë për një barazim diplome me sistemin arsimor të shkollës së përgjithshme a Normales në punën si mësues, qoftë për njohjen e diplomës të përshtatshme për universitetet italiane, ku synonte të regjistrohej. Në dosje kemi një shkrese të Inspektorisë së Drejtorisë Arsimore, Shkodër më 13.09.1936, me nr. prot. 50/32 ku Migjeni kërkon të japë disa provime të caktuara, sipas nenit 436, pika 6b. Migjenit i është njohur e drejta e këtyre provimeve si edhe i janë përcaktuar lëndët për provim, – shkruhet më tej në këtë shkresë. Gjykojmë se këto provime nuk duhet ti ketë përfunduar, përderisa, kur shkon në Itali, (edhe për qëllime studimi) nuk arriti të regjistrohej. Dokumentet e tij u kthyen të palegalizuara.
Megjithatë, nëse shkollimi i tij teologjik në kolegjin e Bitoljes, qe i pamjaftueshëm për të vijuar studimet universitare për letërsi, qe po ky shkollim që na ka dhënë në mënyrë kaq befasuese Migjenin që njohim sot në shkrime. Është ky formim prej të cilit Migjeni do të na mbetet gjithmonë i ri dhe gjithmonë me një lexim të ri, prandaj edhe koha e formimi i tij në Manastir duhet parë e studiuar me kujdes.
Çfarë përmban fondi nga dorëshkrimet letrare dhe çfarë rezulton nga krahasimi me veprën e botuar?
Dorëshkrimet letrare të dosjes së dytë të fondit Migjeni përmbledhin 9 dokumente me rreth 111 fletë dhe përmbajnë një dokument të shkruar në serbisht me shënime për librat e lexuar dhe të tjerët në shqip me prozat dhe krijimet origjinale të tij. Në to përfs
