E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leximi “ndryshe” i Lume Blloshmit

13/03/2009  Shoqëria shqiptare e portretizuar përmes një serie instalacionesh të artistes

E ka të vështirë të flasë, madje i duket e kotë. Por më mirë për të flasin bishtat e cigareve dhe hiri i grumbulluar në kavanoza, “bota e burrave” apo lëkurat e portokallit të prera si formë njerëzore...

Për Lume Blloshmin nuk është gjë e re të provokojë. Madje, për të kjo vjen natyrshëm, ngacmuese dhe thjesht për të qenin ndryshe nga masa, nga ajo që haset e serviret përditë. Megjithatë, “frymëzimin” e gjen pikërisht te kjo e përditshme, në gjërat e vogla dhe banale që jetojmë e prekim gjatë orëve tona.

Me durim mblodhi bishta cigaresh nëpër lokale e me to “ndërtoi” një “monument” që lidhet me konsumin social.

Dhjetëra kavanoza me hi dhe atë çfarë ka mbetur nga cigaret e thithura i ka ekspozuar në një dollap të vjetër me dërrasa. “Një monument skulpturor ndërveprues, një lloj Readymade-i”, - e cilëson Edi Muka si kurator i ekspozitës këtë “punë-instalacion” të artistes, të krijuar jo shumë nga Blloshmi sesa nga vetë njerëzit, ose më saktë “nga rendja e çmendur drejt konsumit dhe pasiviteti social i shoqërisë shqiptare, tipare themelore të epokës liberale në të cilën po kalon vendi”. Një ndjesi vdekjeje dhe kalbjeje përcillet me këto bishta cigaresh, që më tepër sesa vdekjes fizike i ngjajnë vdekjes së kohës dhe mundësisë për të ekzistuar përmes pjesëmarrjes. “Thjesht duke u fokusuar në secilin kavanoz mund të përpiqesh të kuptosh natyrën e atyre që i kanë konsumuar: ka ‘Slims’, ka puro. Por e përgjithshmja e këtij instalacioni është një ndjenjë e përzishme, kur e sheh. Jo vetëm sepse përzierja tym e cigare është e tmerrshme, por të kujton qëndrimin e pakufishëm në kafet e Tiranës, ku edhe njerëz që janë pa punë preferojnë më mirë të rrinë aty sesa të bëjnë diçka për jetën e tyre. Ajo që vuan shoqëria shqiptare sot është se njerëzit nuk kanë motiv të bëjnë diçka me jetën e tyre, por presin që të ndodhë diçka, ndryshe nga shoqëritë e tjera ballkanike, ku njerëzit janë shumë më aktiv. Kjo ka të bëjë edhe me mungesën e ndërgjegjes shoqërore. Secili në Shqipëri sot ndihet individ, por nuk ndihet pjesë e një kolektivi që duhet të marrë përgjegjësitë.”

Më tej një seri e gjatë miniaturash, në krye të së cilave shkruhet “It’s a men’s world” (“Është një botë burrash”), sjell si në një paradë apo fikson si në një aparat ndjesor dhe idesh personazhe të jetës politike dhe artistike të Tiranës. “Në këta gjashtë vjetët e fundit Lumja nisi të eksperimentonte me krijimtarinë e saj, çka e bëri jo thjesht interesante, por të dalë në një dimension tjetër. Në fillim kërkimet e Lumes ishin eksperimente ekstrapiktoreske, sepse filloi të përdorte instalacionin dhe objektet. Ndërkaq ka një rikthim te vetvetja, tek origjina e saj si piktore, duke e pasuruar këtë përvojë si piktore me elemente të jetës së përditshme. E reja nga ana eksperimentale është akti i emërdhënies, se si ajo përpiqet ta lidhë ekspozitën përmes titujve që i vë asaj dhe jo thjesht punëve të veçanta”, - shprehet kuratori Muka, ndërsa cilëson se tek “Është një botë burrash” Lumja është pothuajse e vetmja grua që shfaqet atje, në imazhin e Shivës, zotit (burrë) hindu, të njohur ndryshe edhe si “shkatërruesi dhe transformuesi”.

“Në këtë univers të vogël të sajin ajo nuk ka frikë nga trajtimi i hapur i “secilit sipas asaj që meriton”, duke zbuluar dhe përshkruar me humor fytyrat e fshehta të secilit prej personazheve, të gjitha figura publike tepër të njohura për shikuesin e thjeshtë. Ajo zgjedh miniaturën, me qëllim që t’i japë të gjithë serisë një ndjenjë intime, plot me humor dhe qesëndi”. Shikuesi mund ta lexojë këtë si seri, por edhe si fragmente të veçanta. “Secila prej tyre ka një histori të vetën dhe ajo përpiqet të evidentojë aspekte veçanta të kësaj historie, gjëra që ne i kemi hasur, por i kemi harruar, sepse pështjellimi që krijojnë këta politikanë në vetvete është aq i madh, sa ne harrojmë se nga vijnë këta politikanë dhe cilët janë, si kanë kaluar nga njëra anë në tjetrën.

Në një anë tjetër të murit, ku qëndrojnë të ekspozuara krijimet e Blloshmit, ka një numër fotografish qeniesh të çuditshme, mbi të cilat janë ngjitur imazhe të vogla fragmentesh të marra nga piktura me skena biblike të mjeshtërve të mëdhenj: është seria “Lume and the Masters” (“Lumja dhe Mjeshtërit”).

Shtrirja nuk është vetëm shoqëria shqiptare dhe për këtë arsye edhe qëndrimet janë të ndryshme, sidomos seria e lëkurave të portokallit, që është seria e re e cikleve të Lumes. “Ajo i referohet një pjese tjetër: i referohet historisë së artit dhe nuk ka shumë lidhje me Shqipërinë, por me situata të kohës në të cilën ne jetojmë, që janë pasqyruar në mënyra të ndryshme gjatë historisë”, - vëren Muka. Ajo që është interesante në këtë cikël është mënyra se si artistja ka punuar. Pasi ka bërë fotografi të rastësishme të lëkurave të portokallit, me idenë që t’i bëjë të duken si grupe njerëzish (i ka prerë në mënyrë të tillë që të duken si njerëz të vegjël), është përpjekur të gjejë skena të ngjashme, që ekzistojnë të pikturuara nga mjeshtrit e mëdhenj në historinë e artit. Në këtë mënyrë ka rindërtuar lidhjen mes dy epokave të ndryshme, ndërsa elementi i tretë interesant është përdorimi i titullit, duke ruajtur origjinalin e veprave të mjeshtërve dhe duke futur edhe veten si bashkautore. “Ky është një akt që njihet edhe është përdorur në art, ku edhe titulli kthehet në një element shumë të rëndësishëm të veprës, sepse është akti i dhënies së titullit, nuk është vetëm pikturimi apo fotografimi i veprës që e plotëson atë.” E njëjta gjë ndodh edhe në seritë e tjera. Madje, ajo që i lidh këto seri është mënyra se si Blloshmi përdor titujt ose aktin e emërdhënies. “Kjo është ajo që i bën këto seri të jenë bashkë, si instalacionin e madh me bishtat e cigareve, si edhe serinë e miniaturave, ku edhe pse secila prej tyre e ka nga një titull të gjitha së bashku quhen «Është një botë burrash»”, një titull që ajo gjithashtu e huazon nga kënga e famshme e James Brown. Sërish shikuesi ftohet t’i kushtojë vëmendje aktit “emërdhënës”. Por në këtë akt të ri nuk ka asnjë tendencë për të zhvlerësuar rëndësinë e veprave të mjeshtërve, dhe as ndonjë “manifest antimashkull”, siç e quan kuratori Edi Muka. Vetëm një sugjerim se historia jonë e afërt dhe e largët mund të ketë edhe lexime të tjera “përveç atij të njëtrajtshmit, drejtvizorit, që kemi pranuar pa shumë hetim dhe hulumtim”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›