Lexojeni votën kundër të ish-popullit të varfër irlandez
Refuzimi irlandez për Traktatin e Lisbonës, mund të na verë disi në mendime si shqiptarë. Ne jemi të varfër e të izoluar sot dhe na duket sikur BE është parajsa jonë e shpëtimit. Por, ja, Irlanda, një vend deri para pak vitesh i varfër dhe tashmë një nga vendet me ritmin më të lartë të zhvillimit ekonomik, i thotë një “JO” të prerë me referendum Traktatit të Lisbonës.
Sepse anëtarësimi dhe pjesëmarrja në BE kanë të drejta dhe detyrime. Këto të fundit, ne nuk i njohim fare dhe asnjë politikan nuk na i shpjegon. Duket sikur BE është një pasaportë pa vizë dhe vetëm kaq. Qesharake dhe foshnjore. Dhe po kaq qesharake janë thëniet e politikanëve që flasin në kor për hyrje në BE, a thua se po flasin për hyrje në parajsë. Super-qesharak Kryeministri i këtij vendi, që deklaron nëpër media të huaja që “Shqipëria është gati të bëjë çdo gjë që kërkon NATO, çdo gjë që kërkon BE”. Lexojeni pak votën e popullit irlandez, zotërinj, se kanë qenë të varfër si ne deri para pak kohe, dhe ashtu si ne, eksportonin vetëm prostituta dhe krim.