Lezha, KQZ përmbys rezultatin në tavolinë në favor të PD
Pas qarkut të Kukësit, demokratët duket se do të marrin avantazhin edhe në qarkun e Lezhës. Në mbledhjen e djeshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi përmbysjen e rezultatit të deritanishëm në qarkun e Lezhës duke e kthyer atë në raportin 4 me 3 në favor të demokratëve. Ky vendim, erdhi pas verifikimit nga administrata e KQZ-së të tabelave origjinale të 248 qendrave të votimit në këtë zonë zgjedhore, ndërsa për 10 qendrat e votimit të ZAZ-së nr. 13, për të cilat Komisioni nuk dispononte tabela origjinale, rezultati doli pas kalkulimit të të dhënave të sistemit elektronik të KQZ-së.
Debatet
Partia Demokratike ngriti shqetësimin për 10 qendra votimi në qarkun e Lezhës pasi sipas tyre kryetarët e këtyre qendrave nuk kishin depozituar pranë KQZ-së procesverbalin origjinal ku ishin shënuar rezultatet, për këtë demokratët kërkuan një verifikim të rezultatit. Nga ana e tyre përfaqësuesit e opozitës në KQZ e cilësuan si antiligjor këtë veprim të KQZ-së. Zonja kryetare mos bëjmë teatër, ne do i sjellim kopjet por na lini të flasim për çështje jashtë rendit të ditë, tha përfaqësuesi ligjor i PS Genci Gjonçaj. Pas verifikimit administrata konfirmoi se pretendimet e PD-së, qëndrojnë pasi kopjet kimike të këtij subjekti përputhen me rezultatet e tabelave përfundimtare të KQZ. Në fillim tabelat e ardhura nga përfaqësuesi i PD, është një nga kopjet e fletës kimike te rezultatit të qendrave të votimit, nga KZAZ numër 13. nga verifikimi që i ka bërë administrata, konstaton se të dhënat e pasqyruara në tabelat e rezultateve të ardhurave nga përfaqësuesi i PD dhe në tabelat në sistem të dhënat e rezultateve janë të njëjta, u shpreh administrata. Në përfundim KQZ vendosi ndryshimin e rezultatit për qarkun e Lezhës, 4 me 3 në favor të koalicioni të djathtë. Praktikisht një mandat i fituar i cili deri më tani figuronte i Partisë Socialiste i kalon Partisë Demokratike ndërkohë që Lëvizja Socialiste për Integrim e ruan mandatin e fituar në këtë qark. Përfaqësuesit ligjor të PS-së dhe LSI-së në KQZ deklaruan se do të ankimojnë këtë vendim në Kolegjin Zgjedhor.
Ndoka: Është vjedhje mandati në tavolinë për të humbur 84 votat
Kandidati i PS-së në qarkun e Lezhës, Arben Ndoka deklaroi se ndryshimi i rezultatit është i përkohshëm, pasi çështja do të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor. Ndoka theksoi se socialistët do ti shkojnë deri në fund kësaj çështje, duke pretenduar se kanë argumente bindëse për rikthimin e mandatit tek koalicioni i majtë. Ky ndryshim i rezultatit është i përkohshëm, sepse ne kemi argumente që hedhin poshtë pretendimet. I garantoj votuesit që nuk do ti zhgënjej, do ti shkoj deri në fund kësaj historie. Kolegji zgjedhor do të jetë i qartë për sa i përket argumenteve që ne do paraqesim dhe kam bindjen se mandati do ti kthehet PS-së. Anëtarët e KQZ-së të mos kalojnë në rolin e organit të akuzës. Procesverbalet e KZAZ-së nuk janë fallco, por origjinale, deklaroi Ndoka.
Debatet mes përfaqësuesve dje në KQZ
Gjonçaj: Na vunë në dispozicion tabelat sipas procedurës së përcaktuar nga ju. Dua të them se kjo që sapo prezantuat dhe do e vendosni në vendimmarrje bën të mundur lëvizjen e një mandati nga një koalicion në tjetrin. Dua të them se ky veprim në këtë formë nuk bazohet në kodin zgjedhor është një procedurë që nuk përcaktohet në nenet e kodit zgjedhor. Ajo që do kërkoja për hir të procesit zgjedhor në këtë qark është që të zbardhni sa më shpejt vendimin që të bëjnë animimin në kohën e duhur.
Kosovrasti: E vlerësoj aktin që kemi para, 10 tabela rezultatesh të ardhura në KQZ nuk ishin tabela origjinale, madje as tabela rezultatesh nuk ishin kështu qëndrimin që KQZ ka mbajtur për këtë zonë zgjedhor, vlerësoj vendimin që po merrni dhe që i drejtoheni sistemin elektronik. Sot kemi një rezultat që është i vërteti për këtë zonë zgjedhore.
Muho: Lidhur me materialin e shpërndarë së fundi, komenti im ka të bëjë me atë çka u tha nga parafolësi. Sipas shpjegimeve të bëra nga it tha se në momentin e përpilimit të tabelës së numërimit printohej dhe sillej në KQZ, pyetja ime ka të bëjë me faktin se gjatë gjithë ditëve që zhvillohej procesi i numërimit në qarkun e Lezhës sistemi i të dhënave KQZ pasqyronte një rezultat që mandatet ndaheshin 4 me 3, ndërsa sot ku ka përfunduar procesi i votave i referoheni sistemit dhe rezultati shkon të favor të koalicionit të djathtë.
Lleshi: 248 qendrat e votimit jemi mbështetu në tabelat origjinale, ndërsa 10 që nuk kemi tabela origjinale nuk kanë lëvizje votash.
Muho: Ju pretendoni se janë përcjellë tabelelat origjinale? Ajo që konstatojmë është se sistemi i të dhënave tuaja gjatë ditëve të numërimit ka dhënë rezultate 4 me 3 për të majtët.
Lleshi: Kemi mosrakordimi me 248 qendra votimi, 10 QV që nuk ka tabela origjinale nuk i kemi prekur. Keni mundësinë të bëni kontrollin. KQZ do miratojë tabelën përmbledhëse për zonën e qarkut Lezhë me shifrat e korrigjuara mbështetur në 248 QV e kësaj qendra votimi, dhe për 10 QV mbi bazën e të dhënave elektronike. KQZ vendosi të miratojë tabelën e rezultatit për qarkun Lezhë me 4 vota pro.
Kërcënimet ndaj Kosovrastit, Basha: Do
përballen me fuqinë e reagimit të demokratëve
Gjatë takimeve me strukturat e PD-së në Peshkopi, Lulzim Basha i ka konsideruar tërësisht të papranueshme kërcënimet ndaj përfaqësuesit të PD në KQZ, Njazi Kosovrasti. Këta njerëz që njohin vetëm gjuhën e krimit dhe praktikat e krimit duhet të dinë sot se nuk na kanë trembur në kohën tonë më të vështirë, nuk na trembin as sot. Ndaj u bëj thirrje ti thërrasin mendjes dhe të heqin dorë nga kërcënimet ndaj përfaqësuesve tanë ose do të përballen me fuqinë e reagimit të çdo mendjeje dhe zemre demokrate, tha Basha.