E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, Berisha: Ne frymëzohemi nga Skënderbeu, në selinë mavi nuk ka lider

LEZHË- Partia Demokratike ka çelur sot zyrtarisht fushatën në qytetin e Lezhës, ku ka prezantuar atje edhe kandidatët për deputetë të zgjedhjeve të 23 qershorit për këtë qark, listën e të cilëve e kryeson Aldo Bumçi.

Kreu i të djathtëve Sali Berisha u shpreh se edhe në këtë shesh ka sjellë uraganin e fitores së merituar, ndërsa u shpreh se “ky është starti më madhështor i fushatave tona”.

Duke përmendur investimet e bëra deri më tani, të cilat sipas kryeministrit do shtohen edhe në 4 vitet e ardhshme, ai deklaroi se në këtë rrugë e prin dhe e frymëzon Skënderbeu.

“Neve na prin në rrugën tonë dhe na frymëzon Skënderbeu. Ia dolëm të anëtarësojmë Shqipërinë në NATO, të nënshkruajmë marrëveshjen e stabilizim-asocimit, të lëvizim të lirë, ia dolëm të meritojmë statusin e vendit kandidat, por u bllokuam për 3 ligje, pra jemi qytetarë me besim tek vetja, tek Lezha, tek e ardhmja jonë. Nga kjo tribunë u bëj thirrje qytetarëve të Lezhës të bashkohemi në rrugën tonë drejt Europës”, tha berisha.

Edhe nga sheshi i Lezhës kreu i qeverisë nuk kurseu akuzat për socialistin Rama duke e quajtur atë piktor të dështuar që ka mbetur në autobusin mavi. Duke iu drejtuar socialistëve të Lezhës, Berisha tha se PS udhëhiqet nga një njeri pa vizion dhe ide që nuk është lider.

“Socialistë dhe socialiste të Lezhës në dokumentat tuaja, parimet tuaja nuk ekzistojnë qëndrime antieuropiane, ato ekzistojnë në mendjen, shpirtin dhe kokën e atij që ka uzurpuar PS. Sot në Shqipëri i madh dhe i vogël, çdo i paparti dhe cilido qoftë konstaton se në selinë mavi lumenj fjalësh, shpifjesh trillimesh e mashtrimesh por nuk ka lider, nuk ka ide, nuk ka vizion. Ky piktor i dështuar ka nxjerrë tani teorinë e Shqipërisë së gënjeshtërt, sipas tij shtëpitë tuaja janë të gënjeshtërta, energjia që s’ndërpritet është e gënjeshtërt, rrugët e reja janë të gënjeshtërta, mijëra turistë që vijnë janë të gënjeshtërt sepse ai jeton prej vitesh në autobusin mavi me xhama të zinj dhe nuk sheh asgjë përreth. 

Ndër të tjera kryeministri tha para lezhjanëve se, “Ne mblidhemi këtu pasi në një hark të shkurtër kohor me mundin, djersën dhe punën tuaj ne u ndamë nga terri e errësira, në një kohë të shkurtër kemi qëndisur Lezhën dhe mbarë Shqipërinë. Ne kemi ndërtuar rrugë moderne nga Lezha deri në bregdet, këtu sepse me mundin djersën tonë ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar shkollat, me paratë e taksave tuaja dyfishuam rrogat e mësuesve, mjekëve e infermierëve. Dyfishuam pensionet në fshat. Lezhën këtë rajon të mahnitshëm për bukuritë natyrore me fushat e saj pjellore e kemi shndërruar në një nga rajonet më tërheqëse. Jemi këtu për të festuar, gëzuar ato që do bëjmë 4 vitet që do vijnë. Së bashku, 4 vitet që do vijnë do krijojmë dhjetëra e mijëra vende pune. Ne kemi besim të madh tek Lezha, 4 vitet që vijnë do dyfishohet turizmi në Lezhë. Me punën tuaj, djersën tuaj ju keni krijuar qindra e qindra ferma moderne, në Lezhë, Shëngjin, Kurbin, në 4 vitet që vijnë do garantojmë ujë 24 orë për të gjithë zonën e Lezhës”, tha ai më tej.

“23 qershori po vjen, unë zotohem para jush se 4 vjecari që vjen do krijojë 250 mijë vende pune. Me taksat që kemi hequr biznesi do njohë një hov të ri të madh, me shtimin dhe trefishimin e granteve për fermerët”, nënvizoi ai.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›