E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD në Durrës: PS përdor administratën publike si alibi për humbjen e radhës

DURRËS- Partia Demokratike në Durrës reagon ndaj deklaratave të Partisë Socialiste. Në një reagim të shpërndarë për mediat, dega e PD-së në Durrës akuzon PS-në se po përdor administratën publike si alibi për humbjen e radhës.

“Partia Socialiste ka gjetur alibinë e radhës për humbjen që e pret në Durrës, dhe kjo qenka administrata publike. Akuzat e kryetarit të Partisë Socialiste të Durrësit nuk janë të reja, ai vetëm sa përsërit urdhërat e Edi Ramës. Ata njëherë akuzojnë se administrata është mbushur me militantë, e herën tjetër thonë se po u marrim votën me zor. Socialistët, njëherë i ofendojnë e i provokojnë mësuesit, mjekët e infermierët, duke u thënë deri edhe injorantë, ndërsa tani i merrkan gjoja në mbrojtje. Sot, ata i quajtën skllevër punonjësit e institucioneve të shtetit në Durrës, dhe kjo është fyerje shumë e rëndë. Edi Rama dhe sejmenët e tij fyen edhe një herë tjetër gjithë punonjësit e administratës. I fyen sepse, nga autobusi ku është, ai nuk e sheh dot qytetarinë”, thuhet në deklaratën e demokratëve durrsak.

Partia Demokratike denoncon atë që sipas saj po ndodh me punonjësit e Bashkisë së Durrësit.

“Ne nuk na interesojnë aspak bindjet e tyre politike, por na intereson shërbimi ndaj qytetarëve. Administrata e Bashkisë së Durrësit ka harruar çdo lloj detyrimi për t’ju shërbyer qytetarëve dhe është vënë në shërbim të plotë të partisë së kryetarit të Bashkisë. Partia Socialiste nuk ofron alternativë dhe bën atë që ka bërë për tetë vjet: mohon e sulmon çdo arritje të qeverisë. Por, pa as më të voglin dyshim, asgjë nuk do ta ndalë uraganin blu të fitores në Durrës e kudo në Shqipëri’, përfundon deklarata e PD-së në Durrës.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›