Lezhë, Kolshi i jep Aleks Nikës titullin Qytetar Nderi
Në prag të 1-vjetorit të ngjarjes së 21 janarit, komuna Kolsh në Lezhë ka vendosur të përjetësojë kujtimin e një prej viktimave duke i dhënë titullin Qytetar Nderi.
Këshilli i komunës Kolsh ka miratuar në unanimitet të plotë vendimim për t’i dhënë titullin “Qytetar Nderi”, Aleks Nikës, pas vdekjes. 36-vjeçari nga fshati Grykë Manati i Lezhës, u plagos në demonstratën e 21 janarit, të organizuar nga opozita, dhe ndërroi jetë në një spital të Turqisë pasi luftoi dy javë me vdekjen.
Sipas kryetarit të këshillit të komunës Kolsh, Gentian Marku, të gjithë këshilltarët ishin dakord që të merrej një vendim i tillë. Marku theksoi se ky vendim u mor pas propozimit të disa anëtarëve dhe u miratua nga të gjithë me konsensus. Kryetari i komunës Kolsh, Ferdinand Ndoj, e cilësoi këtë vendim si shumë të drejtë dhe të merituar.
Vendimi i këshillit të komunës se Kolshit do t’i kalojë prefekturës së Lezhës për miratim.
Me 21 janar të vitit 2011 në demonstratën opozitare u vranë Ziver Veizi, Aleks Nikaj, Faik Myrtaj e Hekuran Deda. / L.Kokaj