Lezhë, aksion për pastrimin në grykëderdhjen e lumit Drin

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Administrata Rajonale e Mjedisit Lezhë iu bashkua ekipeve të Bashkisë në një aksion pastrimi në grykëderdhjen e lumit Drin.
Ky aksion është pjesë e një iniciative më të gjerë në gjithë vendin për pastrimin e mbetjeve që prurjet kanë sjellë nëpër brigjet e lumenjve dhe zonat bregdetare.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj ndau në rrjetet sociale momente nga aksioni, duke theksuar rëndësinë e përgjegjësisë së përbashkët.
“Është detyrë e secilit, nga institucionet te qytetarët, të mbajnë pastër territorin, sepse natyra na e sjell përpara gjithçka që mendojmë se e kemi hedhur pas krahëve”, tha Jaupaj.
Ky aksion ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për ruajtjen e ambientit, të përmirësojë gjendjen e ekosistemeve të lumit Drin dhe të nxisë një kulturë të qëndrueshme mjedisore në nivel lokal dhe kombëtar.
/r.e/a.f/