PD nis llogaritë për SHISH-in

Limiti i kohës që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i dha opozitës për të studiuar amendimet në ligjin e SHISH-it, duket se po ju shërben më shumë demokratëve. Partia Demokratike po bën llogaritjet matematikore dhe politike në lidhje me atë çfarë do ndodhë në seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar. Burimet pranë PD-së bëjnë të ditur se fundjava e demokratëve ka nisur të jetë e zënë në lidhje me gjetjen e një rruge që do të bënte të mundur votimin e ndryshimeve në ligjin e SHISH-it në seancën parlamentare të së hënës. Mësohet se kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ka nisur që dje diskutimet me deputetët demokratë në lidhje me atë çfarë do të ndodhë në seancën e ardhshme. Diskutimet duket se janë përqendruar te forma e re që do të ketë amendamenti i PD-së për SHISH-in, por edhe te rikthimi i votave të humbura brenda demokratëve gjatë votimit dy ditë më parë të amendamentit të deputetit Fatos Hoxha. Diskutimet për këtë çështje pritet të vijojnë edhe sot, duke mos përjashtuar dhe negociatat me aleatët e tyre në Parlament. PD duket se është e vendosur t’i shkojë deri në fund nismës së saj dhe me një kombinim të mirë të deputetëve të saj dhe aleatëve, ajo mund të sigurojë shumicën e thjeshtë për të formuar më shumë vota sesa grupi i PS dhe LSI dhe ta konsiderojë ligjin si të miratuar. Por nga ana tjetër, në mes të këtyre përllogaritjeve futen edhe ekuilibrat politikë të palëve dhe marrëdhëniet e vetë qeverisë me aleatët strategjikë, siç është NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga ana tjetër, burimet bëjnë të ditur se ende në Komisionin parlamentar të Sigurisë nuk është paraqitur ndonjë amendament në lidhje me ndryshimet e reja. Por nuk përjashtohet mundësia që dy ditët e ardhshme kjo të ndodhë. Nga ana tjetër, të paqartë situatën se çfarë do të ndodhë realisht në seancën e fundit të Parlamentit e bën edhe heshtja e Kryeministrit Berisha në lidhje me këtë çështje. Kreu i qeverisë iu shmang edhe dje prononcimeve për këtë nismë, e cila prej dy ditësh ka ndezur situatën politike në vend. Nga ana tjetër, socialistët qëndrojnë në gatishmëri dhe i besojnë fjalës së Kryeparlamentares Jozefina Topalli, se PD nuk ka ndërmend të tërhiqet nga kjo nismë.
#