Pogradec, në lokal zhvillohej dasma, në fshat digjej shtëpia e dhëndrit
POGRADEC - Një ngjarje e rrallë dhe shumë tragjike ka ndodhur të dielën në fshatin Slatinë të Mokrës së Poshtme. Teksa shtetasi Jonuz Alla martonte njërin nga pesë djemtë e tij, 24-vjeçarin Shyqyri Alla, i cili është emigrant në Greqi, shtëpia e përgatitur për çiftin e ri u përfshi nga flakët duke u shkrumbuar plotësisht. Burime nga vendngjarja bëjnë të ditur se dhëndri kishte pak ditë që kishte mbërritur nga vendi fqinj në fshat dhe ishte marrë me përgatitjen e dasmës, teksa të dielën gjithçka kishte vijuar normalisht. Familja kishte zgjedhur një nga lokalet më të mira që kishte zona në qendër të komunës në Proptisht. Dasma ka filluar në një atmosferë të gëzueshme dhe më pas kanë mbërritur edhe krushqit nga qyteti i Durrësit. Por, pas disa minutash dhëndrit i ka mbërritur një telefonatë nga një shok i tij nga Greqia, i cili pasi e ka uruar për martesën i ka dhënë një lajm të pakëndshëm: një i afërm i emigrantit nga fshati Slatinë i kishte thënë shokut të dhëndrit nëpërmjet telefonit se shtëpia e tij ishte përfshirë nga flakët. Dhëndri komunikoi me babanë e tij Jonuz Allën dhe i tha lajmin se shtëpia e tyre ishte përfshirë nga flakët. Në heshtje, Jonuzi ka nxjerrë nga dasma disa djem të afërm të familjes dhe i ka nisur nëpër dëborë në drejtim të fshatit. Por, kur ata kanë mbërritur në fshat ishte shkrumbuar gjithçka dhe nga shtëpia dykatëshe kishte ngelur vetëm një “skelet”. Por lajmi është mbajtur sekret nga babai i dhëndrit për të mos prishur atmosferën e gëzueshme të dasmës. Vetëm kur mbaroi dasma u mor vesh lajmi se shtëpia e çiftit ishte djegur. Kështu, natën e parë të martesës dhëndri Shyqyri Alla dhe bashkëshortja e tij 20-vjeçare nga Durrësi, Valdetja, e kanë kaluar në shtëpinë e të afërmve të dhëndrit. Pas hetimeve të kryera nga policia në vendngjarje mendohet se shkaku i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike.