Shqipëria në krye të KE-së, English? Jo, faleminderit!

Ministri Haxhinasto me sekretarin britanik Hague dhe Sekretarin e Përgjithshëm të KiE, Jagland në Strasburg.
Për herë të parë, pas 17 vjetësh anëtarësim në Këshillin Evropës, Shqipërisë i erdhi radha të mbajnë presidencën e Këshillit të Evropës. Kjo periudhë ka nisur me 23 maj dhe do të përfundojë me 9 nëntor. Çfarë pritet nga Shqipëria? A mund të japë ajo këshilla për demokracinë kur është një vend nën monitorim?
Kjo mbetet për tu parë në vijim. Deri tani zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ka bërë dy komunikata. E para është bërë lidhur me masakrën e fundit në Siri, ku mbetën të vrarë 108 persona. Ndërsa komunikata e dytë ishte për humbjen e jetëve në Itali nga tërmeti.

Faqja e Këshillit të Evropës
Në hapësirën ku publikohen këto komunikata, ofrohen edhe në gjuhën shqipe përveçse në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht dhe rumanisht. Në këtë hapësirë ofrohet edhe një lidhje për në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë. Kjo faqe duhet të ishte në anglisht por zhgënjimi ndodh vetëm pasi i hedh një sy faqes. Në anglisht janë vetëm emërtimet e direktorive dhe nën direktorive.
Përveçse njoftimet për shtyp nuk janë në anglisht në direktorinë Rreth Shqipërisë, nuk ka asnjë informacion në anglisht. Kjo do të ishte nimimale por të paktën në faqen e ministrisë së Jashtme ka një listë të vendeve, qytetarët e të cilëve mund të hyjnë pa vizë në Shqipëri.
Rasti i marrjes së Presidencës së KE-së shërben si marketing më shumë se sa një spot qindra milionësh në CNN apo Euronews por ministria e Jashtme dhe qeveria në përgjithësi nuk po e kupton këtë rëndësi. /F.Stafa/

