Lezhë, socialistët tryezë për librin
Grupi i Hartimit të Programit të Opozitës për Problemet e Artit dhe Kulturës ka organizuar në ambientet e bibliotekës së Lezhës tryezën e rrumbullakët mbi problemet e librit. Në këtë tryezë të rrumbullakët kanë marrë pjesë botues dhe autorë librash, të cilët kanë diskutuar mbi problemet e librave.
Grupi i opozitës po përdor një metodë të veçantë për organizimin e këtyre tryezave, duke dhuruar libra apo duke vënë në skenë shfaqje të ndryshme, theksoi regjisori Kiço Londo.
Kryetarja e Grupit të Punës në PS për Artin dhe Kulturën, Irena Toçi, vuri theksin në politikat e munguara për 20 vite ndaj librit dhe theksoi se është e domosdoshme ngritja e një qendre kombëtare për librin, si dhe lëvrimi i një fondi për përkthimin e librave të autorëve shqiptarë në gjuhë të huaj.
Ndërkohë, një tjetër problematikë e ngritur nga zonja Toçi është edhe rënia e numrit të bibliotekave nga 2400 që ishin para viteve 90, në 34 që janë aktualisht. Duhet të vihen në eficiencë bibliotekat, deklaroi kryetarja e Grupit të Punës për Artin dhe Kulturën.
Deputeti i PS-së, Gjovalin Kadeli, dhe kryetari i sapozgjedhur i PS-së Lezhë, Eduart Ndreca, theksuan se këto takime janë të rëndësishme për ballafaqimin e problematikave, si dhe pasurimin e programit të PS-së për këtë sektor.
Në këtë tryezë të rrumbullakët të organizuar nga PS-ja për Librin në Lezhë, krahas problematikave nuk ka munguar edhe dhurimi i 400 titujve librash nga socialistët për bibliotekën e Lezhës. / Lindita Kokaj