Liban: Hezbollahu merr nën kontroll pjesën perëndimore të Bejrutit
Koalicioni qeverisës në Liban thotë se marrja nga Hezbollahu e pjesës perëndimore të Bejrutit është një "grusht i përgjakshëm"kundër unitetit kombëtar dhe sistemit demokratik.
Koalicioni pro-perëndimor i 14 marsit lëshoi një deklaratë dje vonë në të cilën dënon dhunën e ushtruar nga Hezbollahu kundër popullit dhe medias së Libanit. Të paktën 15 vetë janë vrarë dhe më shumë se 20 të tjerë janë plagosur që nga mërkura, në luftimet mes forcave myslimane shiite të Hezbollahut dhe forcave besnike të qeverisë së Libanit, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Shan Makormak premtoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin qeverinë e Libanit. Ai dënoi dhunën dhe akuzoi Iranin dhe Sirinë se mbështesin Hezbollahun.
Dje vonë, lajmet nga Bejruti bënë të ditur se intensiteti i luftimeve kishte rënë dhe se ushtria libaneze po hynte në lagjet e kontrolluara më parë nga Hezbollahu. //iç//