Obama fiton Oregonin, Hillari Klinton, Kentakin
Në Shtetet e Bashkuara, kandidati demokrat për president, Barak Obama, tha se është afër sigurimit të emërimit të partisë. Ai shtoi se ka fituar shumicën e delegatëve të deklaruar në zgjedhjet paraprake të zhvilluara shtet pas shteti. Senatori Obama mbajti një fjalim para mijëra përkrahësve në Ajoua, ku ai fitoi zgjedhjet e para paraprake në procesin për nominimin e kandidatit të Partisë Demokratike për zgjedhjet e nëntorit. Senatori i Ilinoisit fitoi zgjedhjet paraprake në Oregon, ndërsa rivalja e tij, senatorja Hillari Klinton, u zotua se do të vazhdojë garën për nominim, pasi fitoi me një diferencë të madhe votash në zgjedhjet paraprake në Kentaki. Duke folur para përkrahësve të saj në këtë shtet, ish-zonja e Parë i falënderoi ata për votën e tyre, megjithëse i cilësoi shanset për të fituar emërimin e partisë si shumë të vështira.