E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libër për Xhevahir Spahiun me nxitjen e Agollit

TIRANE- Eshtë promovuar dje, në Akademinë e Shken cave të Shqipërisë, monografia për krijimtarinë dhe jetën e Xhevahir Spahiut "Sfidat e poetit", me autor Nurtri Dragoin. I pranishëm në sallë qe edhe vetë Spahiu, i cili nuk u prononcua, por nga ana tjetër akademiku Jorgo Bulo, tha se Xhevahir Spahiu është një poet me një jetë të trazuar.

"Xhevahir Spahiu i përket racës së rebeluar të poetëve, i zemëruar me padrejtësitë që i bëhen kombit, me diktaturat e diktatorët, me imoralitetin e politikanëve", - tha Bulo.

I ardhur nga Prishtina enkas për aktivitetin, poeti Agim Vinca u ndal te raporti i poetit me Kosovën. "Ai shkroi poezinë 'Këngë lirie', vargje të cilat sot ndoshta nuk kuptohen, por kanë pasur një jehonë të madhe në Kosovë. Ai është poet i krejt kombit dhe jo vetëm i një pjese të tij, dëgjon zërin e historisë në çastet vendimtare, jo vetëm me vargjet e tij, por edhe në rrafshin praktik. Ai dhe disa shkrimtarë të tjerë mbështetën veprimtarinë e UÇK-së", - vërejti Vinca.

Vetë autori i monografisë, Nuri Dragoi rrëfeu hezitimin që ka pasur për ta botuar këtë libër apo jo, ndërkohë që Xhevahir Spahiu ishte gjallë. "Vizita një ditë te Dritëro Agolli, të cilit ia shpreha këtë hezitim, më bëri të vendos. Ai më tha se ku ka më mirë se një shkrimtar ta shijojë librin për të në të gjallë. Kështu e nisa punën, e cila u zgjat edhe për shkak se Xhevahiri u sëmur", - sqaroi Dragoi.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›