Liberalët gjermanë po luftojnë për mbijetesë

Pra bëhet fjalë për ide politike udhërrëfyese, për të cilat është diskutuar gjatë dhe intensivisht.
Megjithatë, delegatëve në kongresin e partisë u është parashtruar mocioni i degës së një qarku, i cili kërkon që ta shtyjë votimin për programin e ri. Në arsyetim thuhet:
„FDP-së i mungon aktualisht besueshmëria – veçanërisht në nivelin e lartë“. Me siguri, më qartë se kaq nuk mund të shprehet mungesa e besimit ndaj udhëheqjes së partisë.
Në rast se mocioni përkrahet nga shumica, kjo do të ishte e baras me një votë mosbesimi, e cila do ta dobësonte edhe më kryetarin e partisë të goditur rëndë Philipp Rosler.
Qëkurse ministri gjerman i Ekonomisë mori në maj 2011 kreun e partisë prej ministrit të Jashtëm Guido Westerwelle, liberalët gjenden në rënie të lirë.
Në fakt, tendenca teposhtë pati nisur më parë, por nën drejtimin e Roslerit ajo është përshpejtuar rrezikshëm. Në të katra zgjedhjet për parlamente të landeve, të cilat përkonin me kohën nën kryesimin e Roslerit, partia doli në opozitë jashtëparlamentare. Pjesërisht rezultatet ishin nën 2 për qind (për të hyrë në parlament nevojiten kudo të paktën 5 për qind).
Në nivelin federativ, FDP-ja është partner koalicioni e kancelares konservatore Angela Merkel.