E Diel, 1 Nëntor 2026

Liberalizimi i tarifave dhe kreditë studentore

Dritan Nelaj* 

Formula e financimit të arsimit të lartë përbën një çështje delikate në fushën e politikbërjes në shumë vende të botës. Natyra e financimit ka ndikim të drejtpërdrejtë në formësimin e tipareve kryesore të sistemit të arsimit të lartë dhe produktit të tij. Modeli anglo-amerikan e konsideron sistemin e arsimit të lartë si heterogjen, inkurajon larminë, forma të ndryshme shërbimi dhe krahasim të cilësisë midis operatorëve. Ndërsa politika në modelin skandinav, bazohet në supozimin se institucionet janë homogjene dhe për rrjedhojë ato trajtohen si të njëtrajtshëm. Një sistem masiv kërkon një skemë financimi, e cila i lejon universitetet të vendosin çmime të diferencuara bazuar në kosto dhe misione të ndryshme. Kësisoj vlerësohet se liberalizimi i tarifave të studimit ndihmon në shpërndarjen e drejtë të burimeve financiare drejt institucioneve të arsimit të lartë. Nëpërmjet tarifave të studimit të diferencuara universitetet thithin burime financiare bazuar në prestigj dhe në preferencën e studentëve. Sinjalet që përftohen prej tarifave ndihmojnë në rritjen e efeciencës së shpërndarjes së burimeve ndërsa konkurrenca e bën sektorin e arsimit të lartë më të ndjeshëm ndaj preferencave të studentëve dhe punëdhënësve. Në të kundërt, në rastin e tarifave të sheshta apo të subvencionimit të tyre nëpërmjet taksave, është qeveria ajo që përcakton kufijtë e financimit për çdo universitet. Shumë shtete të zhvilluara janë bindur se skema më e përshtatshme për financimin e arsimit të lartë (në rastin e mësimdhënies) është transferimi i burimeve financiare nga studenti tek institucioni i arsimit të lartë. Për rrjedhojë skema e transferimit të drejtpërdrejtë të financave nga qeveria tek universiteti po humbet legjitimitet.
Debati themelor mbi formën e financimit të studentit përqendrohet në atë se a duhet marrë në konsideratë gjendja financiare e individit dhe familjes së tij në periudhën kur aksesohet arsimi i lartë apo duhen konsideruar të ardhurat që do të sigurojë individi pas diplomimit. Qasja e parë sugjeron mbështetjen financiare të studentëve, të cilët jetojnë në një familje të varfër edhe pse në të ardhmen individi në fjalë mund të përfundojë i pasur. Ndërsa qasja e dytë sugjeron financimin bazuar në kredi studimi, të cilat shlyhen pas diplomimit në varësi të së ardhurave që përfiton i diplomuari si pasojë e veprimtarisë në tregun e punës. Shumë qeveri e kanë zgjidhur dilemën duke i gërshetuar qasjet e mësipërme nëpërmjet një modeli financimi që operon me bursa dhe kredi studentore. Disa ekonomistë të arsimit të lartë sugjerojnë që skema e kredive studentore të mbulohet tërësisht nga sistemi bankar ndërsa ai i bursave të studimit të mbulohet nga qeveria. Në të kundërt, studiues të tjerë argumentojnë se nëse kollona kryesore e financimit do të bazohej tek kredidhënia bankare atëherë sektori i arsimit të lartë do të vuante pamjaftueshmëri financiare. Kjo për shkak se rasti i kreditimit të kapitalit njerëzor është mjaft i ndryshëm krahasuar me kreditimin për konsum, blerje banese apo biznes. Vështirësitë hasen njëherazi si në planin e kërkesës dhe në atë të ofertës. Në planin e kërkesës argumentohet se diplomimi i një grupi studentësh mund të vonojë ndërkohë që ata do të jenë të detyruar të shlyejnë kredinë pa pasur ende të ardhura si pasojë e angazhimit në tregun e punës. Gjithashtu studentë të mirinformuar dhe të përgjegjshëm mund të ekspozohen ndaj riskut për shkak se shkalla e të ardhurave pas diplomimit varion. Të ardhurat pas diplomimit mund të rezultojnë të vogla ndërsa kësti i kredisë i lartë dhe për rrjedhojë i diplomuari në fjalë do të gjendej në vështirësi përderisa ai nuk mund ta shesë kualifikimin universitar sikundër do të ndodhte në rastin e një banese.
Oferta e kredidhënies përballet gjithashtu me vështirësi. Nëse një bankë lëshon një kredi banese dhe ndodh që kredimarrësi rezulton i paaftë për ta shlyer atëherë banka mund ta përvetësojë dhe shesë banesën. Kjo nuk është e mundur në rastin e kapitalit njerëzor për shkak se huadhënësi nuk mund të nxjerr nga koka e të diplomuarit i cili është i paaftë për të shlyer kredinë, njohuritë dhe aftësitë që ai ka marrë përgjatë studimit dhe më pas t’i tregtojë sikundër mund të bëjë me një banesë. Për këtë shkak bankat përballen me risk dhe pasiguri të lartë përkundrejt diplomimit të huamarrësit apo aftësisë së tij për të shlyer kredinë pas diplomimit. Banka e ka të vështirë të parashikojë suksesin financiar të një studenti pas diplomimit. Në mënyrë që bankat të mbrohen nga risku ato priren të financojnë vetëm ata aplikantë prindërit e të cilëve kanë një pronë të paluajtshme dhe vendosin ta përdorin si garanci për huamarrjen. Kjo do të përjashtonte nga mbështetja financiare grupe të tëra aplikantësh të cilët nuk do e plotësonin këtë kusht. Për rrjedhojë vlerësohet se kreditë konvencionale çojnë drejt pamjaftueshmërisë së huamarrjes dhe huadhënies në rastin e financimit të studimeve dhe kostove të jetesës së studentit. Nëse skema e financimit të arsimit të lartë do të mbështetej në kreditimin bankar, atëherë sektori do të vuante nga një financim i pamjaftueshëm dhe rrjedhimisht aksesi në studimet universitare i një pjese të individëve do të bëhej i vështirë. Ky rrezik përbën arsyen kryesore se përse qeveritë e vendeve të zhvilluara ndërhyjnë nëpërmjet skemës së kredive studentore dhe bursave. Skema e kredive studentore justifikohet gjithashtu në sajë të nevojës së ndarjes së kostove të arsimit të lartë midis shoqërisë dhe përfituesve të drejtpërdrejtë të shërbimit.
Përfshirja e studentëve në ndarjen e kostove të arsimit të lartë konsiderohet mjaft efecient sipas logjikës mikroekonomike për shkak të përfitimeve të larta private të një individi të shkolluar në arsimin e lartë. Studime të shumta vërtetojnë se të ardhurat mesatare të një individi që zotëron një diplomë universitare janë dukshëm më të larta se të një individi që nuk zotëron një kualifikim të tillë. E njëjta gjë rezulton edhe për shpejtësinë e përparimit në karrierë. Ndarja e kostove të arsimit të lartë midis shoqërisë dhe studentit është gjithashtu e nevojshme për arsye fiskale për shkak të kostos mjaft të lartë që paraqet masivizimi i arsimit të lartë dhe nevojës për të ekuilibruar trysnitë konkurruese fiskale sikundër është sistemi shëndetësor apo politika të tjera sociale. Për më tepër ndarja e kostove ndihmon parimin e barazisë duke korrigjuar defekte të tilla të sistemit sikundër është rasti i subvencionimit të shkollimit të qytetarëve të pasur nga qytetarë më të varfër, kjo nëpërmjet pagesës së taksave Sistemi i kredive studentore transferon kostot kryesore të arsimit të lartë nga taksa paguesit tek të diplomuarit të cilët pritet që të kenë një nivel të ardhurash përgjatë jetës më të lartë se në rastin e mosfrekuentimit të arsimit të lartë. Një skemë e tillë e kombinuar edhe me një shportë bursash, transferon burimet financiare nga më të pasurit (të cilët humbasin subvencionimin e tarifës sikurse ndodh sot në universitetet shtetërore) tek të varfrit e sotëm (të cilët përfitojnë bursë) dhe tek të varfrit e nesërm, të cilët nëpërmjet kredive studentore bazuar në nivelin e të ardhurave pas diplomimit nuk detyrohen ta shlyejnë atë plotësisht. Ekonomistët e arsimit të lartë bien dakord që skema e kredisë studentore e menaxhuar nga qeveria duhet të përmbushë tre karakteristika kryesore. Skema e shlyerjes së kredisë duhet të bazohet në të ardhurat e të diplomuarit. Pra, shumat e kësteve të kredisë dhe intensiteti i shlyerjes varion sipas ecurisë së të diplomuarit në tregun e punës. Ky mekanizëm mbron huamarrësin nga ndodhi të papëlqyeshme siç mund të ishte paaftësia për të shlyer kredinë si pasojë e mossuksesit në tregun e punës ndërsa në aspektin e barazisë ato ndihmojnë zgjerimin e pjesëmarrjes në arsimin e lartë. Së dyti, shkalla e interesit të kredisë studentore duhet të jetë e arsyeshme në mënyrë që të nxisë kredimarrjen dhe të garantojë qëndrueshmërinë e skemës nga aspekti financiar. Së treti, kredia studentore duhet të mbulojë tarifën e studimit dhe shpenzimet e jetesës. Nëse kredia nuk i mbulon tërësisht këto dy kategori shpenzimesh atëherë skema nuk do të rezultonte tërheqëse për një pjesë të individëve të cilët zotërojnë të dhënat akademike dhe dëshirën për të studiuar, por hasin vështirësi financiare në mbulimin e kostove të jetesës. Si përfundim vlerësohet se tarifat e studimit të diferencuara mbështesin synimin e alokimit efecient të burimeve brenda sektorit të arsimit të lartë, skema e përshtatshme e kredive studentore lehtëson konsumimin e shërbimit, ndërsa masat për të zgjeruar aksesin nëpërmjet bursave të studimit përmbushin parimin e barazisë.
*M.Phil në Arsimin e Lartë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›