LSI: Protestë e dështuar, synon dhunimin e shtetit ligjor
Anëtari i kryesisë së LSI-së Dritan Ylli e cilësoi protestën e opozitës një dështim të plotë ndërsa kauzën e saj, dhunim të shtetit ligjor. “Protesta gjoja-treditore e Edi Ramës ishte një dështim i qartë në sytë e të gjithë shqiptarëve. Deklaratat halucinante për pjesëmarrje të ëndërruar prej mijëra vetësh, por që nuk ishin aspak të verifikuara në shesh, nuk e mbuluan dot dështimin dhe falë medias të lirë dhe të pa censuruar nga Rama, shqiptarët nuk e patën të vështirë të vlerësojnë vetë se çfarë ndodhi në rrugën para Kryeministrisë”, u shpreh Ylli. Sipas tij, butaforia e kësaj proteste, ku kauza e vetme është dhunimi i shtetit ligjor, përmes gjoja kërkesës për hapjen e kutive, e cila shkon në kundërshtim me ligjshmërinë e procesit, si rrjedhojë nuk përçoi një motiv frymëzues tek shqiptarët, të cilët janë dëshmitarë se Edi Rama vetë i hapi kutitë, vetë i numëroi ato dhe vetë i firmosi dhe i vulosi me 20 mijë komisionerët e tij”. Anëtari i kryesisë së LSI-së tha se e gjithë kjo është vetëm një përpjekje e marrë e tij, për të nënshtruar shtetin ligjor dhe pavarësinë e institucioneve”. anëtari i kryesisë së LSI-së tha dje se vendi ka nevojë për bashkëpunim mes forcave politike në procesin e integrimit. “Procesi i integrimit evropian dhe hapi i parë i madh i liberalizimit të vizave, është një proces i pandalshëm. Shqiptarët duan këtë dhe jo frymën destabilizuese, shqiptarët duan qetësinë dhe jo kaosin, shqiptarët kërkojnë një Shqipëri evropiane dhe jo Republikën ish-komuniste të Edi Ramës”, u shpreh Ylli.