E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Dhjetë ditë afat qeverisë për hapjen e kutive

 

Aristir Lumezi

Opozita i dha fund mitingut tre ditor të protestës për hapjen e kutive të votimit të 28 qershorit. Kryetari socialist Edi Rama në fjalën mbyllëse të tubimit paqësor, i bëri apel kryeministrit Berisha të pranojë kërkesën e opozitës brenda 10 ditësh. “Beteja jonë për hapjen e kutive të 28 qershorit, për transparencën e plotë të zgjedhjeve, për legjitimin e parlamentit shqiptar do të vazhdoj më tej, në një betejë të rezistencës aktive, politike e qytetare kudo, çdo ditë, e me çdo mjet të protestës, përballë një qeverie, që brenda 10 ditësh duhet të zgjedhë përfundimisht: Ose të hap kutitë, ose të pranoj rënien e saj. Rrugë të mesme mes lirisë dhe mungesës së lirisë nuk ka, rrugë të mesme mes të drejtës dhe padrejtësisë nuk ka, zgjedhje të lira ose jo të lira, edhe të drejta edhe të padrejta, edhe me  standarde apo dhe pa standarde nuk ka”, u shpreh Rama në fjalimin përmbyllës të protestës tre ditore të opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Sipas tij, një lëvizje e re popullore ka lindur në Shqipëri. Me këtë fjali e ka nisur fjalën e tij Edi Rama.
Lideri socialist tha para protestuesve se tashmë Shqipëria nuk është më ajo e 48 orëve më parë. “Populli opozitar më i bashkuar për lirinë ka shtruar në kore ultimative kërkesën e tij për qeverinë, të hapen kutitë e votimit ose vala e protestës do hapet në të gjithë Shqipërinë, deri në largimin e qeverisë. Ju jeni përfaqësuesit e 100 mijë shqiptarëve që 48 orë më parë i treguan botës imazhin e Shqipërisë reale. Beteja jonë për hapjen e kutive do vazhdojë më tej si një betejë e rezistencës demokratike kudo dhe me çdo mjet të protestës”, theksoi Rama. Shefi i selisë rozë ashpërsoi tonet duke i dhënë një ultimatum të prerë qeverisë dhe liderit të saj, duke nënvizuar se nëse pas këtij afati, nëse kutitë nuk do të hapen, atëherë opozita do kërkojë zgjedhje të parakohshme. “Nëse brenda 10 ditësh Berisha nuk hap kutitë e votimit ne do ta ngremë në këmbë popullin shqiptar dhe do të ndalemi vetëm kur në Shqipëri të jenë shpallur zgjedhjet e parakohshme. Uroj që kjo javë e fundit e nëntorit të sjellë dritën e arsyes në tunelin e shembur të Berishës për interesin e tij personal. Sali Berisha ka 10 ditë kohë për të menduar dhe reaguar, zgjedhja është e tij, e drejta është e jona”, tha Rama.
Sipas tij, opozita do t’u rezistojë dhunuesve të pushtetit, duke mos u lejuar me asnjë centimetër ne ushtrimin e pushtetit te tyre ilegjitim. “Nuk po kërkojmë pushtetin, por te drejtën ligjore te shohim votën dhe nëse pushteti na i mohon, ne do t’i mohojmë pushtetit te drejtën qe te na qeverise. Ndiej njësoj si edhe ju te rritet brenda meje ndjenja e revoltës ndaj këtij pushteti qe kërkon te grabisë gjithë Shqipërinë. Forca jone qëndron tek e drejta qe kemi me vete dhe ketë do ta mbrojmë me te gjitha forcat”, shtoi kryetari i PS-se. Rama theksoi gjithashtu se kjo proteste nuk synonte pushtimin e kryeministrisë. “Qielli dhe toka nuk do puqen ndërsa nen ketë qiell dhe mbi ketë toke beteja do kaloje ne një faze te re jo vetëm fjalësh por edhe veprimesh ndaj një pushteti qe nuk i ka votat për te qeverisur Shqipërinë”, qartësoi Rama. Sot kreu socialist pritet të takohet me krerët e partive të majta dhe të djathta me të cilët do të diskutojë elementë të reagimit opozitar deri në përfundim të ultimatumit që i kanë dhënë Berishës.

Skenari i opozitës për hapjen e kutive

    Ultimatumi përfundon në 1 dhjetor
    Deri në fund të muajit, opozita do sensibilizojë qytetarët
    Takime dhe tryeza me grupet e interesit që të bëhen pjesë e reagimit opozitar
    Do të ketë protesta lokale nga bashkitë dhe komunat socialiste për taksat
    Pas përfundimit të ultimatumit
    Thirrje për mosbindje qytetare
    Bizneset e vogla që do bëhen të mëdha të mos paguajnë taksat
    Ish ushtarakët të protestojnë për pensionet e tyre
    Minatorët të bllokojnë minierat
    Do nxiten qytetarët që marrin asistencë sociale të ngrihen në protestë
    Tetraplegjikët dhe paraplegjikët që u hiqet trajtimi do të nxiten në protestë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›