Berisha: Jo kutitë sado të zgjasë protesta
ADI SHKEMBI
Maxhoranca nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i saj për hapjen e kutive edhe nëse protesta e opozitës vazhdon pafundësisht. Deklaratën e bëri dje kryeministri Sali Berisha, i cili ftoi për të disatën herë kreun e opozitës, Edi Rama për të nisur negociatat për zgjidhjen e krizës dhe rikthimin e Partisë Socialiste në parlament. “Eshtë në detyrimin tim madhor, të garantoj protestën e cilitdo qytetar të këtij vendi dhe kjo është e qartë se ndodhi dhe do të ndodhë. Tani, vazhdon tre ditë, vazhdon tridhjetë ditë, vazhdon tre muaj, vazhdon në infinit, këto janë çështje jo të miat, janë vendimmarrje që dalin tërësisht jashtë kompetencave të mia”, u shpreh Berisha. Kryeministri iu referua sërish faktit se Kolegji Zgjedhor ka thënë fjalën e tij ndaj pretendimeve të ngritura për procesin e numërimit në disa qarqe dhe vendimi që ka dhënë trupa gjykuese nuk mund të preket. Sipas kreut të maxhorancës vendimi i gjykatës është i formës së prerë. “Theksoj edhe një herë një gjë, absolutisht jam dhe mbetem i hapur për dialog, dhe kam bërë një ofertë shumë serioze, por çdo gjë duhet të bazohet mbi të vërtetën dhe jo mashtrimin. Të pretendosh se nuk ka vendosur gjykata në një kohë kur gjykata ka shqyrtuar në themel Beratin, Fierin etj, dhe ka vendosur se nuk mund të ketë rinumërim të pabazuar në kontekst, atëherë do të thotë të ndërtosh strategjinë tënde mbi mashtrimin dhe kjo është përzgjedhja që unë nuk e këshilloj. Pra vendimi është i formës më të prerë, zgjedhjet kanë certifikim më të plotë në historinë e këtij vendi”, theksoi më tej kreu i ekzekutivit. Në ditën e tretë të protestës së opozitës kreu i ekzekutivit kujtoi qëndrimin e misionit të OSBE/ODIHR-it, të cilët vlerësuan progresin në këto zgjedhje. “Ata që nuk duan të pranojnë votën e shqiptarëve, kanë problem me veten e tyre, shqiptarët kanë votuar, zgjedhjet janë certifikuar, unë këto mund të theksoj dhe e theksova edhe dje. Në mënyrë kategorike vendimi i gjykatës nuk do të mund të përmbyset as nga ata që unë thashë dje, as nga ai, po u ngrit lugat për t’i ndihmuar. Të harrojnë se mund të bëhet kjo gjë”, u shpreh kreu i qeverisë.