E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli merr mbështetjen për vizat dhe integrimin

18/03/2010 Vizita në Suedi

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë vizitës në Suedi mori mbështetjen e personaliteteve të larta të këtij vendi për procesin e liberalizimit të vizave dhe për atë të integrimit të Shqipërisë në BE. Kryeparlamentarja u prit nga Kryetari i Parlamentit të Suedisë, Per Westerberg, me ftesë të të cilit ajo shkoi në Suedi. Kjo ishte vizita e parë zyrtare e një kryetari Parlamenti të Shqipërisë në Suedi. Westerberg shprehu mbështetjen e Qeverisë së tij për Qeverinë shqiptare. “Ne mbështesim integrimin tuaj dhe shpresojmë që shumë shpejt të jeni anëtarë në BE. Ne ju urojmë sukses në negociatat e anëtarësimit dhe në reformat tuaja, të cilat janë të guximshme, por të nevojshme për këtë anëtarësim”, tha ai. Lidhur me zgjedhjet e fundit, Westerberg theksoi se “Shqipëria realizoi zgjedhje shumë të mira, sikurse i vlerësuan edhe ndërkombëtarët. Mbështetjen për heqjen e vizave Kryetarja e Kuvendit e mori nga Kryetari i komisionit të Jashtëm të Parlamentit të Suedisë, Goran Lennmarker, i cili i rezervoi një pritje të veçantë, si dhe u zhvillua një seancë dëgjimore në këtë komision. “Jemi në anën tuaj për heqjen e vizave dhe i qëndrojmë fort kësaj politike. Ne ju mbështesim, sepse ju keni realizuar reformat”, tha ai. Lennmarker, ashtu si edhe kryetarja e delegacionit të Suedisë në asamblenë parlamentare të OSBE-së, Walburga Habsburg, dënuan qëndrimin e opozitës duke bojkotuar Kuvendin. “Ne mendojmë se deputetët e Partisë Socialiste duhet të zënë vendet e tyre në Parlament dhe të bëjnë opozitë konstruktive, sepse çështja qëndron në faktin që Parlamenti duhet të kryejë një punë cilësore”, tha Lennmark.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›