E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i vizave, Serbia dhe Shqipëria!

Blendi Fevziu 

Ju keni lobuar kundër liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën! Ky ishte thelbi i deklaratës akuzuese të eurodeputetes Sarah Ludford, disa ditë më parë në Bruksel, në përballjen me ministrin e Jashtëm serb, Jeremiç. Ludford iu referua veprimeve të ambasadës serbe në Bruksel, zyrtarët e së cilës kishin bërë lobing midis eurodeputetëve për të frenuar liberalizimin e vizave të Shqipërisë e Bosnjës, si dhe një emaili konfidencial, në të cilin, vetë Jeremiç, i kërkonte një eurodeputeti holandez që të mos mbështeste platformën e eurodeputetes Tanja Fajon në Komitetin e Sigurisë, Drejtësisë dhe Lirisë, po për këtë problem.
Pak rëndësi ka në këtë kontekst refuzimi i Jeremiç ndaj akuzave dhe justifikimi i tij. Madje, jashtë kontekstit të këtij rasti, historia duhet parë edhe më gjerë. Serbia ka qenë padyshim Republika më e rëndësishme e ish-Jugosllavisë dhe republika që vijon të ruajë trashëgiminë më të madhe të saj. Ish-Jugosllavia ka qenë një vend që ka gëzuar për shumë vite benefitet e Perëndimit, për të mos thënë se në kontekstin e Luftës së Ftohtë ka përfituar jo vetëm nga Perëndimi, por edhe nga Lindja ish-komuniste. Varrimi i ish-kryetarit Tito ka qenë shembulli më i mirë, ku Perëndimi dhe Lindja hynë gati në një garë për të dëshmuar miqësinë dhe solidaritetin e tyre me Jugosllavinë. Ndoshta kishin të drejtë. Jugosllavia e Titos qe vendi i parë komunist që doli nga suaza e BS dhe po kështu, refuzoi të kthehej aty, kur Stalini vdiq dhe Hrushovi tentoi ta bënte këtë.
Por Jugosllavia e pas 1990, ose më mirë të thuhet, Serbia, solli jo pak andralla në Ballkan dhe më gjerë. Serbia është protagoniste e 10 viteve luftë, në të cilën humbën jetën qindra mijëra persona në Bosnjë, Kroaci apo Kosovë. Serbia është protagoniste e platformave të frikshme të spastrimit etnik, që bota i kish harruar që nga holokausti nazist i Luftës së Dytë Botërore; Serbia ka qenë vendi që dëshmoi pafuqishmërinë e Europës dhe SHBA për të ndalur një histeri nacionaliste dhe së fundi, ka qenë vendi që bashkoi gjithë botën e civilizuar në një koalicion të së parës luftë morale në historinë e globit, luftës së Kosovës.
Kjo histori mori fund. Serbia e sotme nuk është ajo e djeshmja. Serbia është sot një vend demokratik, por kur një vend përfiton benefitet e së shkuarës së tij, duhet të mbajë në shpinë edhe problemet e po kësaj të shkuare, madje më të afërt.
Fati e solli që Serbia të përfitojë nga liberalizimi i vizave si edhe Maqedonia e Mali i Zi. Jashtë tij u lanë Shqipëria dhe Bosnja. Argumentet qenë thjesht teknike, por problemi duhet zgjeruar më shumë se kaq. Pas 10 vitesh vuajtjeje, Bosnja, viktima më e madhe e Ballkanit, ngeli ende e izoluar, Serbia, që i shkaktoi asaj këtë tragjedi, del më e avantazhuar dhe me më shumë fat. Për më tepër, Bosnja administrohet nga vetë ndërkombëtarët dhe çdo dështim atje, po aq sa i klasës politike të saj, është edhe i bashkësisë ndërkombëtare. Ideja për të lënë jashtë boshnjakët dhe shqiptarët, dy vende viktima të luftës dhe për rastësi me një maxhorancë të besimit mysliman dhe për të përfshirë Serbinë, nuk ngjan aq korrekt. Siç nuk ngjan korrekt fakti që Serbia lobon kundër Shqipërisë dhe Bosnjës, duke të kujtuar një kohë tjetër, një Serbi tjetër, që nuk ka ngjasim me këtë sot. Serbia duhej të ishte e para që të dilte pro liberalizimit të Shqipërisë e Bosnjës, për të dëshmuar, qoftë edhe me një gjest, pendesën për atë që ka ndodhur në Ballkan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›